• e hënë, 23 dhjetor 2024

Marrëveshja e Prespës para dhe pas në fokus të Konferencës ndërkombëtare për paqen dhe zhvillim të qëndrueshëm në Athinë, Nimici merr Çmimin për paqe “Prespa”

Marrëveshja e Prespës para dhe pas në fokus të Konferencës ndërkombëtare për paqen dhe zhvillim të qëndrueshëm në Athinë, Nimici merr Çmimin për paqe “Prespa”

Athinë, 17 qershor 2024 (MIA) – Përfitimet nga Marrëveshja e Prespës, si edhe për dy vendet, ashtu edhe rajonin më të gjerë, periudha e negociatave, zbatimi nga Shkupi dhe Athina, qëndrimet e Demokracisë së Re dhe VMRO-DPMNE-së, por edhe perspektiva e BE-së për vendin, kanë qenë në fokus të temave të dy panel diskutimeve në Konferencën ndërkombëtare për paqen dhe zhvillimin e qëndrueshëm në Athinë, organizuar nga "Instituti Aleksis Cipras" dhe "Fondacioni Zaev", njofton korrespondentja e MIA-s nga Athina.

Në një nga panel- diskutimet kanë marrë pjesë ish kryeministrat Aleksis Cipras dhe Zoran Zaev, ndërsa në tjetrën, ndërmjetësi Metju Nimic dhe ish shefat e diplomacisë Nikolla Dimitrov dhe Nikos Koxias.

Paralelisht, në margjinat e konferencës, të dërguarit special të Sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara në bisedimet për emrin Metju Nimic iu dha çmimi "Çmimi i Prespës për Paqe" që ia dhuruan Ciprasi dhe Zaevi për kontributin e tij për zgjidhjen mes dy vendeve, ndërsa Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guteresh dërgoi një videomesazh.

Ish kryeministri Zoran Zaev para të pranishmëve tregoi legjendën e vjetër për Liqenin e Prespës, historinë e vajzës së dashuruar Prespa, duke komentuar se kundrejt legjendës së shpikur, “marrëveshja jonë është një realitet i bukur”. Ai iu referua Çmimeve të paqes që fituan së bashku me Ciprasin dhe nominimin për Çmimin Nobel.

"Çmimi më i madh është vetë paqja", theksoi Zaev.

Për gjendjen aktuale pas ndërrimit të qeverisë në vendin tonë, ai dërgoi mesazh edhe deri te kryeministri i ardhshëm Hristijan Mickoski dhe kryeministri aktual grek Kiriakos Micotakis.

Për Mickoskin tha se deri më tani ka konfirmuar se do ta respektojë marrëveshjen, emrin do ta përdor me shkrim, “por nuk është konfirmuar se do ta përdor gojarisht emrin kushtetues”.

Nga ana tjetër, për Micotakisin tha se nëse vërtet e mbështet rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut, për të cilën ka luftuar në të kaluarën, atëherë të ratifikojë tre memorandumet, njëra prej të cilave i referohet pikërisht perspektivës së BE-së dhe theksoi se në thelb, në praktikë zbatohen, por kryeministri grek “nuk dëshiron t’i hedhë në votim”.

Memorandumeve iu referua edhe Ciprasi ku i bëri thirrje qeverisë aktuale t'i ratifikojë ato, ndërsa rreth asaj nëse marrëveshja parashikon garanci në rast të mosrespektimit, tha se vetë garancitë tashmë janë të përfshira.

"Rëndësia e marrëveshjes është që garancitë thelbësore të përfshihen në marrëveshje që në fillim", tha Ciprasi dhe shtoi se garancia e parë është ndryshimi i Kushtetutës, e dyta është e ardhmja evropiane nga vijnë edhe me fondet evropiane, anëtarësimi në NATO, ndërsa e fundit është dispozita e SHBA-së që parashikon edhe sanksione individuale për ata që nuk do të respektojnë marrëveshjen.

Për zhvillimin e negociatave kanë folur Nimici, Dimitrovi dhe Koxiasi, ndërsa ndërmjetësi theksoi se pjesën më të madhe të karrierës së tij 20 vjeçare ia kushtoi dëgjimit të palëve, ndërsa në prag të Marrëveshjes së Prespës më me rëndësi ka qenë procesi, gjegjësisht ndërtimi i mirëbesimit mes dy palëve, theksoi se është një kompromis dhe kompromiset janë të vështira, por zgjidhja është e rëndësishme për të dyja vendet dhe për mbarë rajonin dhe u bëri thirrje të gjithëve ta respektojnë atë.

"Marrëveshja e Prespës është fitimprurëse edhe për Greqinë edhe për Maqedoninë e Veriut, por edhe për Ballkanin, për Evropën dhe gjeneratat e reja", theksoi Dimitrov, duke shtuar se të dyja palët nuk duhet të lëshohen në "një lojë akuzash të ndërsjella" duke pasur parasysh se "tani për herë të parë kemi dy forca politike në të dy vendet që kritikuan marrëveshjen".

Ish ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Koxias e krahasoi Marrëveshjen e Prespës me një foshnjë që ka nevojë për kujdes dhe kritikoi qeverinë aktuale greke për mos vazhdimin e "agjendës pozitive të Prespës", se Micotakis për pesë vjet sa është në pushte nuk e ka vizituar Shkupin, nuk ka pasur takim mes qeverive, nuk ka pasur bashkëpunim mes ministrive, sektorit civil.

Ai kritikoi edhe Bashkimin Evropian duke thënë se “nuk ishte e drejtë me këtë vend'.

"Zgjidhja është e lehtë, qeveria greke t'i thotë qeverisë bullgare se nuk do të votojnë për hyrjen në zonën Shengen, nëse nuk e heq veton për Maqedoninë e Veriut", tha Koxias.

Në ditën e parë të Konferencës ndërkombëtare për paqen dhe zhvillimin e qëndrueshëm në Athinë, organizuar nga “Instituti Aleksis Cipras” dhe “Fondacioni Zaev” i pranishëm ka qenë pothuajse i gjithë grupi parlamentar i SIRIZA-s, anëtarë dhe simpatizues të partisë, ndërsa penelin e Zaevit dhe Ciprasit e ndoqi edhe lideri i partisë si dhe përfaqësues të të Majtës së Re dhe PASOK-ut.

Nesër në mbrëmje në panelin final është paralajmëruar të marrë pjesë edhe presidentja e Greqisë, Katerina Sakelaropoulu. 

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR