• e hënë, 23 dhjetor 2024

Mariçiqi në takim me Lajçakun: Maqedonia e Veriut udhëheq politika të bazuara në vlerat evropiane

Mariçiqi në takim me Lajçakun: Maqedonia e Veriut udhëheq politika të bazuara në vlerat evropiane

Shkup, 1 mars 2023 (MIA) - Për partnerët tanë nga BE-ja, Maqedonia e Veriut është shembull pozitiv për zgjidhjen e çështjeve të hapura me fqinjët dhe vend i cili me vendosmëri përparon drejt Unionit, konstatuan në takimin e sotëm në Bruksel, zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq dhe përfaqësuesi i Unionit për Ballkanin Perëndimor, Mirosllav Lajçak.

"Ne udhëheqim, angazhohemi dhe mbështesim politika të bazuara në vlerat evropiane, të cilat nuk shikojnë prapa në të kaluarën, por çojnë në një perspektivë të qartë të BE-së dhe ofrojnë stabilitet, prosperitet dhe mirëqenie për qytetarët tanë", theksoi Mariçiqi.

Siç bëri të ditur Sekretariati për Çështje Evropiane, Mariçiqi është informuar për rrjedhën e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit dhe e ka përshëndetur përparimin në bisedimet dhe mundësinë e re që të mbyllen çështjet e hapura.

"Bashkëbiseduesit konfirmuan se zgjedhja e Ohrit si vendi ku do të diskutohet për normalizimin e marrëdhënieve Prishtinë - Beograd, ndërsa kryeministri Dimitar Kovaçevski si nikoqir i takimit, është dëshmi se Maqedonia e Veriut është sinonim i dialogut konstruktiv, pjekurisë dhe përgjegjësisë në rajon", thuhet në kumtesë.

Në takim është biseduar edhe për situatën politike në vend, çështjet e hapura në rajon dhe rëndësinë me plan të qartë që të konfirmohet bashkimi i Ballkanit Perëndimor me BE-në.

"Kryenegociatori me BE-në e informoi Lajçakun për rrjedhën e skriningut dhe u shpreh pritshmëria që Maqedonia e Veriut duhet të përparojë shpejt në reformat dhe të ruajë vazhdimësinë e negociatave të anëtarësimit me BE-në", thuhet në kumtesën e SÇE-së.

Takimin me Lajçakun, Mariçiqi e realizoi në kuadër të vizitës së tij në Bruksel, ku do të marrë pjesë në mbledhjet dypalëshe të skriningut për Klasterin 2 - "Tregu i brendshëm". fc/

Fotografia: Sekretariati për Çështje Evropiane

QËNDRONI TË LIDHUR