• e hënë, 23 dhjetor 2024

Mariçiq- Piç: Vazhdimësia e negociatave të Maqedonisë së Veriut me BE-në është kyçe për stabilitetin e mbarë rajonit

Mariçiq- Piç: Vazhdimësia e negociatave të Maqedonisë së Veriut me BE-në është kyçe për stabilitetin e mbarë rajonit

Shkup, 6 mars 2023 (MIA) - Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq sot ka realizuar takim me lordin Stjuart Piç, të dërguarin special të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor ku kanë biseduar për dinamikën e procesit eurointegrues, zhvillimin e ngjarjeve politike në Maqedoninë e Veriut dhe mbi situatat në rajon.

Në takim, siç ka kumtuar zyra e Mariçiqit është konstatuar se vazhdimësia e negociatave të Maqedonisë së Veriut me BE-në është kyçe për stabilitetin e mbarë rajonit.

“Maqedonia e Veriut ka mundësinë që shpejtë të avancojë në procesin e negociatave me BE-në. Në këtë moment nga ndryshimet kushtetuese do të varet jo vetëm e ardhmja evropiane dhe pozicionimi i shtetit në marrëdhëniet me BE-në, por edhe paqja dhe siguria e mbarë rajonit”, janë pjesë e porosive nga takimi i zëvendëskryeministrit Mariçiq me të dërguarin special britanik Piç, informojnë nga Sekretariati për Çështje Evropiane.

Lordi Stjuart Piç i shoqëruar nga ambasadori Metju Loson, në takim ka konfirmuar mbështetjen e pakushtëzuar që Maqedonia e Veriut ka nga Mbretëria e Bashkuar në rrugën evropiane dhe zbatimin e reformave.

Në kontekst të stabilitetit rajonal dhe progresit të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së, Mariçiq dhe lordi Stjuart Piç kanë biseduar edhe për takimin në nivel të lartë ndërmjet përfaqësuesve të Beogradit dhe Prishtinës në Ohër duke përshëndetur dialogun i cili sipas tyre është me rëndësi të madhe gjeostrategjike e që njëherësh kërkon angazhim konstruktiv nga të dyja palët.

Zëvendëskryeministri dhe kryenegociatori me BE-në, Mariçiq në takim theksoi se Maqedonia e Veriut ka kapacitete demokratike, është një vend përgjegjës dhe serioz për anëtarësim në BE e cila edhe më tej do të vazhdojë t'i përkushtohet nismave rajonale, si dhe ruajtjes së paqes, stabilitetit dhe prosperitetit të rajonit, pasi siç theksoi Mariçiq, “është në interesin tonë dhe në interesin e Evropës”.

Në takimin ku mori pjesë edhe Sekretarja shtetërore në Sekretariatin për Çështje Evropiane, Drita Abdiu-Halili u konfirmua gatishmëria e plotë për avancimin e bashkëpunimit dhe komunikimit të vazhdueshëm për tejkalimin e sfidave.

Foto: SÇE



 

 

QËNDRONI TË LIDHUR