• e diel, 22 dhjetor 2024

Mariçiq nga Salzburgu: BE-së i nevojitet plan i qartë dhe strategji për zgjerim

Mariçiq nga Salzburgu: BE-së i nevojitet plan i qartë dhe strategji për zgjerim
Shkup, 24 tetor 2022 (MIA) - Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq sot ka marrë pjesë në panel diskutimin në kuadër të Samitit evropian në Salzburg në temën "A do t'u mbijetojë Evropa krizave?" ku tha se vetëm e bashkuar, e vendosur dhe me një plan dhe strategji të qartë BE-ja do të arrijë të tejkalojë sfidat me të cilat po përballet për momentin. “Realiteti i ri që po përjetojmë ne dhe BE, kërkon hapa dhe vendime konkrete që do të na bëjnë unikë dhe do të na çojnë përpara. Vetëm me vendime të drejta dhe një plan të qartë strategjik për zgjerim, Bashkimi Evropian do t'i tejkalojë sfidat momentale”, tha Mariçiqi. Në panel, siç njoftoi SÇE, është hapur debati për kredibilitetin e BE-së dhe ndikimin në vendet e Ballkanit Perëndimor, veçanërisht në vitet e fundit, si pasojë e pasivitetit të politikës së zgjerimit ku Mariçiqi u përgjigj se besimi i qytetarëve në Union është më i rëndësishmi dhe duhet të punohet për kthimin e tij, duke potencuar madje se anketat flasin për një rënie të mbështetjes për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE dhe se ka një mosbesim se do të bëhemi anëtare në ççfarëdo momenti. Në të njëjtën pyetje, Karoline Eshtadler, ministre federale për BE-në dhe Kushtetutë të Austrisë tha se zgjerimi nuk është çështje shpejtësie, por e kredibilitetit të BE-së dhe se për një kohë të gjatë është mbajtur mënjanë politika e zgjerimit, duke theksuar se Austria mbetet mbështetëse e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. Kancelari i Austrisë, Karl Nehamer, tha se është për t’u respektuar dhe përshëndetur hapi i ndërmarrë nga Maqedonia e Veriut dhe që ka filluar negociatat me Unionin. Zëvendëskryeministri Mariçiq në panel ka folur edhe për rëndësinë e anëtarësimit në NATO e cila konfirmohet në këto ditë të luftës në tokën e Evropës dhe kur vende si Finlanda dhe Suedia presin të bëhen pjesë e aleancës më të madhe ushtarake. Ai tha se opsioni i vetëm për vendin tonë është Unioni i cili është ende projekti më i mirë paqësor, politik dhe ekonomik për të gjithë kontinentin. Në panel bashkë me zëvendëskryeministrin Mariçiq kanë marrë pjesë edhe Nikolla Beer, zëvendëskryetar i Parlamentit Evropian, Peter Launski-Tiefental, Sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Austrisë, Liliana Pavlova, zëvendëskryetare e Bankës Evropiane të Investimeve dhe Marko Shtucin, Sekretar shtetëror për Çështje evropiane dhe të Drejtën ndërkombëtare të Sllovenisë. Në margjinat e Samitit Evropian, Mariçiqi realizoi takime edhe me komisarin evropian për Buxhet dhe administratë, Johanes Han, me Sekretarin e përgjithshëm të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Austrisë, Launski-Tiefental dhe Aleksandar Simurdiq, drejtor i Fondit për Çështjet evropiane të AP Vojvodina. Samiti Evropian mbahet për të 18-tën herë këtë vit nga data 23 deri më 25 tetor 2022.

QËNDRONI TË LIDHUR