• e martë, 24 dhjetor 2024

Mariçiq: Me përpjekje të përbashkëta mund të arrijmë qëllimin dhe anëtarësimin në BE deri në vitin 2030, si dhe zbatimin e synimeve për zhvillim kombëtar

Mariçiq: Me përpjekje të përbashkëta mund të arrijmë qëllimin dhe anëtarësimin në BE deri në vitin 2030, si dhe zbatimin e synimeve për zhvillim kombëtar

Shkup, 9 tetor 2023 (MIA) - Në bazë të raportit nga skriningu i klasteri të parë – vlerave themelore, institucionet tashmë po punojnë për krijimin e udhërrëfyesve për sundimin e ligjit, për reformat e administratës publike dhe për funksionimin e institucioneve demokratike, prej të cilave dy të parat janë edhe kusht formal për hapjen e këtij grupi. Janë formuar grupet e punës në nivel institucional, të cilat tashmë i kanë versionet e para dhe ka komunikim intensiv me Brukselin. Ato do të përfshijnë gjithashtu rekomandimet dhe udhëzimet që do të dalin nga Misioni vlerësues për punën e Këshillit Gjyqësor dhe e gjithë kjo në fund të fundit do të duhet të gjejë vend në Strategjinë e re të zhvillimit kombëtar.

Këtë e theksoi zëvendëskryeministri Bojan Mariçiq, në debatin publik për qeverisje në funksion të qytetarëve në kuadër të Komisionit për Çështje Evropiane.

"Sundimi i ligjit është një supozim kyç për zhvillimin dhe funksionimin e ekonomisë, prandaj jemi të detyruar të kushtojmë më shumë vëmendje dhe masa më serioze, në mënyrë që në afat të mesëm dhe afatgjatë të vendosim një sistem sipas këtyre udhëzimeve, ku nuk do të kemi nevojë për mekanizma shtesë për vëzhgimin e sistemit tonë gjyqësor, zgjedhjet dhe shkarkimet e gjyqtarëve, cilësinë e drejtësisë dhe vendimet, shpejtësinë e procedurës dhe efikasitetin në procedurë, të cilat janë pjesë e vëzhgimeve të BE-së", tha Mariçiq.

Është e rëndësishme, theksoi ai, që ky proces të mbetet i hapur për të gjithë dhe të marrin pjesë aktive të gjithë, deputetët e të gjitha partive politike, por edhe prokurorët, gjyqtarët dhe të gjithë ata që e përfaqësojnë atë felë në nivelin më të lartë, si dhe felën akademike dhe shoqërinë civile.

Udhërrëfyesit, theksoi Mariçiq, janë të rëndësishëm sepse përcaktohet tani dhe mbulojnë temat nga kapitujt 23 dhe 24, të cilat mbeten të hapura deri në fund të negociatave, ndërsa detyrimet që do të futen janë afatgjata.

"Plani në udhërrëfyesit është shtatë vjeçar, pra deri në vitin 2030, deri në të cilin ne kërkojmë të përfundojnë negociatat dhe deri më tani kemi marrë një sinjal pozitiv nga Komisioni Evropian, prandaj është e rëndësishme se si do t'i formësojmë ato", tha Mariçiq.

Gjatë këtij procesi, Mariçiq theksoi se është kërkuar nga Holanda që të dërgojë ekspertin e vet, i cili merr pjesë në grupin punues për udhërrëfyesin për sundimin e ligjit, ndërsa kemi edhe një Mision vlerësues për punën e Këshillit gjyqësor.

"Presim që në fund të këtyre dy proceseve të marrim një raport për punën e tyre. Ne planifikojmë të inkorporojmë gjithçka që do të na japin si rekomandim dhe udhëzim në udhërrëfyesin për sundimin e ligjit, i cili është një lloj dokumenti strategjik për shtatë vitet e ardhshme", tha Mariçiq.

Sipas Mariçiqit, nuk duhet të ikim nga problemet dhe duhet të punojmë së bashkë për t'i kapërcyer ato.

Kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane, Arbër Ademi, theksoi se pret një debat konstruktiv dhe të shqyrtohen ndryshimet sistematike të propozuara dhe qëllimet dhe prioritetet strategjike.

"Kapitulli 23 është një nga kapitujt më të gjerë dhe kompleks, ndërkohë që shpejtësia dhe kohëzgjatja e kundërshtimeve në këtë fushë ndikon drejtpërdrejt në progresin në aspekte të tjera të negociatave me BE-në. Funksionimi i një gjyqësori të pavarur dhe efikas është i një rëndësie vendimtare, paanshmëria, integriteti dhe standardi i lartë i vendimmarrjes nga gjykatat janë thelbësore për mbrojtjen e sundimit të së drejtës. Ai nënkupton një përkushtim të vendosur për eliminimin e ndikimeve të jashtme në gjyqësor dhe sigurimin e burimeve dhe trajnimeve adekuate financiare", tha Ademi.

Është e nevojshme, theksoi Ademi, një luftë e fortë dhe sistematike kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, pa, siç tha, pengesa dhe ndëshkime, dhe se Kuvendi duhet të përfshihet në këtë proces.

Diskutimi i sotëm i Komisionit kuvendor për Çështje Evropiane është në kuadër të procesit të përgatitjes së Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit dhe synon përfshirjen e partive politike në procesin e krijimit të strategjisë si dhe hapjen e një diskutimi me përfaqësues nga fusha akademike. shoqëria civile, sektori i biznesit dhe ekspertët, për të përfshirë pikëpamjet e ndryshme në dokumentin përfundimtar, por edhe për të siguruar vazhdimësinë në zbatimin e strategjisë. ls/

Foto: Kuvend/ printskrin

 

QËNDRONI TË LIDHUR