Mariçiq”: Ndryshimet kushtetuese janë përgjegjësi e të gjithëve, nuk do të heqim dorë nga dialogu
- Ndryshimet kushtetuese nuk janë punë e një personi, e një partie, as e një qeverie, përkundrazi janë përgjegjësi e të gjithëve dhe suksesi do të jetë i përbashkët, thotë zëvendëskryeministri për çështje evropiane Bojan Mariçiq.
Shkup, 22 qershor 2023 (MIA) - Ndryshimet kushtetuese nuk janë punë e një personi, e një partie, as e një qeverie, përkundrazi janë përgjegjësi e të gjithëve dhe suksesi do të jetë i përbashkët, thotë zëvendëskryeministri për çështje evropiane Bojan Mariçiq.
Ai në deklaratë për televizionin “Tera” tha se Qeveria aktualisht është duke i shqyrtuar ndryshimet kushtetuese të hartuara nga Ministria e Drejtësisë dhe se janë duke u zhvilluar një sërë konsultimesh, me qëllim që iniciativa të dërgohet në Kuvend deri në fund të këtij muaji.
“Apelojmë sërish që të përfshihet edhe VMRO-DPMNE-ja, jo për të thënë se kush e ka ndërruar qëndrimin, por pëe të përfunduar punën dhe të ndajmë përgjegjësinë ashtu siç ndahet në Kuvend, sepse për këtë duhet një shumicë prej dy të tretash dhe të vazhdojmë rrugën drejt BE-së. Ne nuk do të heqim dorë nga dialogu, sepse jemi të mendimit se është mjeti më i mirë dhe do t'i drejtohemi çdo deputeti, çdo partie politike sepse mendojmë se secili ka përgjegjësi", tha Mariçiq.
Ai vlerësoi se është mirë që e gjithë atmosfera në shoqëri të vazhdojë me dialogun, sepse siç thotë ai, qëndrimet e pushtetit dhe opozitës nuk janë aq të ndryshme sa i duket opinionit.
"Të gjithë e pamë se ka pasur një zhvendosje nga qëndrimet fillestare nga VMRO DPMNE dhe kjo është mirë. Nuk është më temë tabu votimi i ndryshimeve kushtetuese dhe nuk duhet mbyllur dera. Nëse i gjithë publiku evropian dhe botëror na thotë se tani është momenti i duhur dhe ne e dimë se cilat janë detyrimet tona, vendi i duhur, koha e duhur për të hapur dialogun është tani, tha Mariçiç, duke treguar se së shpejti do t'i dorëzojnë amendamentet në Kuvend, por që ka mundësi që grupi parlamentar i opozitës të marrë pjesë në bisedime dhe të japë mbështetje. ls/
Foto: Sekretariati për çështje evropiane