• e shtunë, 21 dhjetor 2024

Marfi: SHBA-ja e konsideron Dodikun si kërcënim për sigurinë

Marfi: SHBA-ja e konsideron Dodikun si kërcënim për sigurinë

Sarajevë, 15 maj 2024 (MIA) - SHBA-ja e konsideron liderin e serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik si kërcënim për stabilitetin dhe janë të gatshëm të reagojnë ndaj çdo kërcënimi për mbijetesën e Bosnje e Hercegovinës si shtet, deklaroi ambasadori amerikan në Sarajevë, Majkël Marfi.

Në intervistën për televizionin N1, pjesë të së cilës u publikuan në faqen e internetit gjatë ditës, Marfi e vlerësoi retorikën e Dodikut si të "tmerrshme" në deklaratat e tij, sidomos kërcënimet për shkëputjen e Republika Sërpska nga shteti i Bosnj e Hercegovinës, ku bën pjesë edhe ky entitet.

Marfi kujtoi deklaratat e Dodikut se "nuk dëshiron të thithë të njëjtin ajër me boshnjakët", duke theksuar se kjo duhet të shqetësojë të gjithë, përfshirë komunitetin ndërkombëtar.

Vlerësimet e inteligjencës së qeverisë amerikane, tha Marfi, prandaj theksojnë se sa kërcënim është Dodiku për Bosnje e Hercegovinën dhe të ardhmen e saj, kjo është arsyeja pse që nga viti 2017, ai ka qenë cak i sanksioneve që e ndalojnë atë të udhëtojë në SHBA dhe në të njëjtën kohë i është ngrirë edhe pasuria.

"Ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë. Kemi përdorur sanksione për t'i mbajtur individët përgjegjës për atë sjellje dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë. Ne kemi qenë të qartë dhe mbetet politika jonë që nuk do të përmbahemi kur bëhet fjalë për Dodikun dhe çdo politikan që e shtyn vendin drejt konfliktit. Kjo nuk është në interesin e SHBA-së dhe ne nuk do ta lejojmë të ndodhë", tha ambasadori amerikan. 

"SHBA-ja mbështet integritetin territorial, sovranitetin dhe karakterin multi-etnik të BeH-së".

Ai shpjegoi se kjo do të thotë se SHBA-ja nuk do të vëzhgojë me qetësi mundësinë e një konflikti të ri që të shpërthejë në tokën e BeH-së dhe për këtë arsye mbështet fuqishëm vazhdimin e misionit ushtarak të Bashkimit Evropian (EUFOR), por edhe vendosmërinë e NATO-s për të mos lejuar asnjë vakum sigurie në këtë vend. qa/

Foto: arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR