• e diel, 22 dhjetor 2024

Maqedonia e Veriut zgjodhi Qeverinë e re

Maqedonia e Veriut zgjodhi Qeverinë e re
Shkup, 16 janar 2022 (MIA) - Me 62 vota “për”, 46 “kundër” dhe asnjë të përmbajtur sonte para mesnate në Kuvend është zgjedhur Qeveria e re e Republikës së Maqedonisë së Veriut të cilën do ta udhëheq kryeministri Dimitar Kovaçevski. “Legjitimiteti i Qeverisë është i pakontestueshëm dhe me rritjen e mbështetjes së shumicës i qëndrueshëm në dy vite e gjysmë pas nesh. Qartë dhe zëshëm konfirmoj se zgjedhje do të ketë, por në vitin 2024. Deri atëherë do të punojmë me përkushtim në mbarëvajtjen e ekonomisë dhe cilësisë së jetës së qytetarëve në vend”, porositi kryeministri i ri, Dimitar Kovaçevski në fjalimin para zgjedhjes së qeverisë së re. Ai ka shtuar se beson se opozita do të jetë konstruktive dhe do të bashkëpunojë në interes të miratimit të vendimeve më të mira për vendin dhe qytetarët. “Me punë fillojmë menjëherë. Në seancën e nesërme të qeverisë fillojmë me miratimin e vendimeve për krizën energjetike. Nesër do të realizojë takim me ministren e re gjermane për Evropë me të cilën do të bisedoj për përshpejtimin e euro- integrimeve. Tashmë të martën do të jem nikoqir i kryeministrit të ri bullgar, Kiril Petkov me të cilin duam të vendosim bashkëpunim të ri bazuar në respektim, mbështetje dhe ruajtje të identitetit maqedonas”, ka thënë Kovaçevski. Paralajmëroi se Qeveria menjëherë do të vazhdojë me rritjen e pensioneve dhe mbështetjen e fuqisë punëtore të qytetarëve. Do të angazhohemi, shtoi ai në realizimin efikas dhe nxitjen e investimeve vendore kapitale dhe ato të huaja. Kovaçevski ka shtuar se çdo ministër në resorin e tij dhe në qeveri kanë plan të qartë dhe preciz për realizimin e programit të dorëzuar me afate dhe indikacione për ndjekjen e realizimit dhe efekteve. “Paralajmërova dhe ofroj pjesëmarrje dhe njëherësh e ftoj opozitën për angazhim të përbashkët mbi çështjet kryesore. Qytetarët tanë janë të bashkuar në kërkesat për jetë më të mirë. Për këtë do të punojmë të bashkuar dhe kërkojmë që të gjithë të na bashkëngjiten që ta realizojmë atë qëllim. Të pushojnë ndarjet politike, etnike dhe tjera dhe bashkë të punojmë në zgjidhen e çështjeve kyçe”, tha Kovaçevski. Ai kërkoi të lihen anësh interesat personale dhe të ngushta partiake pasi siç theksoi kryeministri, “tani më shumë se kurrë doemos të bashkëpunojmë në interes të qytetarëve”. Gjatë debatit parlamentar të dy ditëve të kaluara, deputetët e opozitës theksuan se emrat e propozuar të Qeverisë së re janë dëshmi se LSDM nuk ka zgjidhje dhe të ardhme të cilës duhet t’i besohet. Thanë se ajo nuk ka legjitimitet duke paralajmëruar zgjedhje të shpejta të parakohshme parlamentare. Në diskutimin para fundit të debatit për zgjedhjen e qeverisë së re, deputeti Antonio Milloshoski nga VMRO-DPMNE tha se Dimitar Kovaçevski i cili si kryeministër do ta udhëheq Qeverinë nuk ka legjitimitet dhe kjo tha se do të jetë handikap shtesë për punën e tij. “Qeveria e LSDM dhe BDI nuk është zgjidhje e problemeve, pasi pas pesë vitesh shihet se vetë kjo qeveri është gjenerator i problemeve të reja dhe krizave për qytetarët. Krizë ekonomike, krizë shëndetësore, krizë energjetike, krizë e ngrohjes, krizë inflacioni, krizë me zjarret, askush nuk bart përgjegjësi dhe kjo papërgjegjësi do të vazhdojë edhe më tej”, tha ai. Për qëndrimin e jo legjitimitetit të qeverisë së re pajtohet edhe deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela. Ne, tha ai me të drejtë të plotë mund të themi se kjo qeveri nuk ka legjitimitet, pasi mandatari dhe kryeministër i ardhshëm nuk ka marrë pjesë në zgjedhje të drejtpërdrejta. Në këtë ka replikuar deputeti i BDI-së, Arbër Ademi i cili tha se Sela nuk ka të drejtë të flasë për ndonjë legjitimitet, pasi qytetarët nuk i besojnë partisë së tij. Vazhdimisht i humbni votat, tha ai, populli nuk ju jep mbështetje dhe prandaj nuk mund të kërkoni pushtet dhe të flisni për legjitimitet. Deputeti i LSDM-së, Jovan Mitrovski u përqendrua madje në akuzat e deputetëve të opozitës lidhur me legjitimitetin e qeverisë së re. “Për mua folklor politik është kur dikush e vlerëson legjitimitetin politik të mandatarit Kovaçevski ta udhëheq qeverinë pse nuk ka dalë në zgjedhje. Ose folklor politik është se fitorja në zgjedhje lokale duhet të shkaktojë zgjedhje parlamentare...”, tha ai. Ky kabinet qeveritar i udhëhequr nga LSDM do të ketë një anëtar më shumë nga ai i mëparshëm- ministër pa resor për diasporën, vend që i përket tanimë Alternativës. Kovaçevski do të ketë katër zëvendëskryeministra, Artan Grubi (BDI)- zëvendëskryeministër i parë dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Bashkësive, Sllavica Gërkovska (LSDM)- zëvendëskryeministre për Luftë kundër krimit dhe korrupsionit, Bojan Mariçiq (LSDM)- zëvendëskryeministër për Çështje evropiane dhe Fatmir Bytyqi (LSDM)- zëvendëskryeministër për Çështje ekonomike. Për anëtarë të Qeverisë janë zgjedhur: Oliver Spasovski (LSDM) – ministër i Punëve të Brendshme, Sllavjanka Petrovska (LSDM) – ministre e Mbrojtjes, Nikolla Tupançevski (propozim nga LSDM) – ministër i Drejtësisë, Bllagoj Boçvarski (LSDM) – ministër për Transport dhe Lidhje, Lupço Nikollovski (LSDM) – ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Jovana Trençevska (LSDM) – ministre për Punë dhe Politikë Sociale, Bisera Kostadinovska -Stojçevska (LSDM) – ministre e Kulturës, pastaj Goran Milevski (PLD) – ministër i Pushtetit Lokal, Bekim Sali nga Alternativa – ministër i Shëndetësisë, Jeton Shaqiri (BDI) – ministër i Arsimit dhe Shkencës, Bujar Osmani (BDI) – ministër i Punëve të Jashtme, Fatmir Besimi (BDI) – ministër i Financave, Kreshnik Bekteshi (BDI)- ministër i Ekonomisë, Naser Nuredini (BDI) – ministër i Mjedisit Jetësor, Admirim Aliti nga Alternativa- ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratë dhe Xhemail Çupi nga Alternativa – ministër pa resor përgjegjës për diasporën. fab/  

QËNDRONI TË LIDHUR