• e martë, 26 nëntor 2024

Maqedonia e Veriut dërgon ndihmë urgjente në Turqi pas tërmetit katastrofik

Maqedonia e Veriut dërgon ndihmë urgjente në Turqi pas tërmetit katastrofik

Shkup, 6 shkurt 2023 (MIA) - Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut sot pasdite mbajti seancë urgjente, me qëllim të ofrimit të ndihmës emergjente për Republikën e Turqisë, pas tërmetit katastrofal që goditi vendin me humbje të mëdha në njerëz, qytetar të lënduar, si dhe dëme të mëdha materiale.

Ministria e Punëve të Jashtme njoftoi se në zonat e prekura në Turqi ka shtetas nga Maqedonia e Veriut, të cilët ndodhen në vende të sigurta dhe në mesin e të cilëve nuk ka viktima apo të lënduar. Sipas informacioneve të MPJ-së, Konsullata e Nderit ka përgatitur plane për akomodim, ndihmë emergjente mjekësore dhe mbështetje me ushqime dhe pije për qytetarët tanë, nëse lind nevoja.

Qeveria e ngarkoi MPJ-në që përmes përfaqësive diplomatike konsullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Republikën e Turqisë (Ankara dhe Stamboll) të koordinojë aktivitetet për evakuimin e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut nga zonat e prekura.

Qeveria, me propozim të Ministrisë së Jashtme, në seancën e sotme të 126-të, miratoi disa konkluzione.

Obligohet Ministria e Financave që të përgatisë dhe t'i dorëzojë Qeverisë vendim për miratimin e mjeteve nga rezervat e Buxhetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut për vitin 2023, në vlerë prej gjashtë milionë denarë për ndihmë të viktimave të tërmetit katastrofal.

Obligohen Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim dhe Qendra për Menaxhimin e Krizave, në koordinim me ministrin e Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, urgjentisht të përgatisin dhe t'i dorëzojnë Qeverisë vendimin përkatës për dërgimin e forcave/ekipeve për mbrojtje dhe shpëtim, që do të përfshihen në zonat e prekura, si dhe vendim për dërgimin e ndihmave humanitare për mbrojtje dhe shpëtim në Republikën e Turqisë.

Obligohet Ministria e Mbrojtjes, në kuadër të kompetencave të saj, urgjentisht të përgatisë dhe t'i dorëzojë Qeverisë vendim për dhënien e ndihmës adekuate në personel, pajisje në formë të mekinerisë, tendave, dyshekëve, batanijeve, mjeteve ngrohëse dhe lloj tjetër të ndihmës përkatëse.

Obligohet Ministria e Shëndetësisë, në kuadër të kompetencave të saj, urgjentisht të përgatisë dhe t'i dorëzojë Qeverisë vendimin për dhënien e ndihmës në formë të personelit mjekësor, pajisjeve mjekësore dhe barnave.

Rekomandohet që Kryqi i Kuq i Republikës së Maqedonisë së Veriut, në kuadër të kompetencave dhe mundësive të tij ligjore, në bashkëpunim me institucionet kompetente, të përfshihet në aksionin për ofrimin e ndihmës për viktimat, duke dërguar ekipe dhe lloje të tjera të ndihmave humanitare. të përshtatshme për fatkeqësi të tilla natyrore.

Qeveria ngarkoi sekretariatin e përgjithshëm të Qeverisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme, të ndërmarrin aktivitete që synojnë transferimin e menjëhershëm të mjeteve të miratuara nga Buxheti, si dhe të mbajnë komunikim të rregullt me Ambasadën e Republikës së Turqisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, me qëllim të zbatimit të vendimit.

Qeveria, me sugjerim të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, mori vendim për dërgimin e 40 personave nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, pjesëtarë të Forcave Republikane për Mbrojtje dhe Shpëtim, për të sanuar pasojat e tërmetit në Turqi.

Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim ofron pajisje komplete të specializuara dhe mjete materialo-teknike për kërkimin dhe shpëtimin nga rrënojat, gjashtë automjete për transportin e pajisjeve dhe njerëzve dhe dy automjete zjarrfikëse.

Shpenzimet financiare për këtë qëllim do të sigurohen nga fondet e Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim.

Qeveria me propozim të Ministrisë së Mbrojtjes mori vendim për dërgimin e ndihmave humanitare për mbrojtje dhe shpëtim në Republikën e Turqisë, përkatësisht 10 mijë batanije dhe 200 lese mjekësore.

Qeveria, gjithashtu me propozim të Ministrisë së Mbrojtjes, mori vendim për dërgimin e ekipit të mbrojtjes dhe shpëtimit nga Ministria e Mbrojtjes në Republikën e Turqisë, për të marrë pjesë në ofrimin e ndihmës për Republikën e Turqisë.

Gjithsej 24 pjesëtarë të Ministrisë së Mbrojtjes - Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut janë dërguar për sanimin e pasojave të tërmetit, prej të cilëve 22 janë të Batalionit të Forcave Speciale dhe dy udhëheqës të qenve zyrtarë, me dy qenë, nga Komanda e stërvitjes dhe doktrinat e Ministrisë së Mbrojtjes.

Shpenzimet financiare për këtë qëllim do të sigurohen nga mjetet personale të Ministrisë së Mbrojtjes", thuhet në njoftimin e shërbimit për media të qeverisë.

QËNDRONI TË LIDHUR