• e premte, 22 nëntor 2024

Maqedonia e Veriut e prezantoi platformën e investimeve për një tranzicion të drejtë energjetik në KOP28

Maqedonia e Veriut e prezantoi platformën e investimeve për një tranzicion të drejtë energjetik në KOP28

Shkup, 3 dhjetor 2023 (MIA) - Maqedonia e Veriut sot në samitin për klimën në Dubai prezantoi dhe paralajmëroi platformën e investimeve për një tranzicion të drejtë energjetik me qëllim të një tranzicioni të suksesshëm në një ekonomi me karbon të ulët dhe një tranzicion të drejtë në sektorin energjetik.

Në samit, Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi prezantoi synimet e kësaj platforme, si mjet për tërheqjen e investimeve dhe zhvillimin e politikave që bashkon qeverinë, financat ndërkombëtare dhe sektorin privat.

Qëllimi do të jetë zëvendësimi i qymyrit si energjens, instalimi i 1,7 gigavat energji të rinovueshme deri në vitin 2030, investimi në rrjet dhe ruajtje për të garantuar sigurinë e furnizimit me energji elektrike dhe masa të drejta tranzicioni për të mbështetur komunitetet e prekura nga ky tranzicion.

Bekteshi në samit theksoi se për zbatimin me sukses të procesit të tranzicionit të drejtë dhe dekarbonizimit të përgjithshëm, nevojiten investime të konsiderueshme dhe planifikim të saktë për të siguruar besueshmërinë e furnizimit me energji elektrike. Në këtë proces, Maqedonia e Veriut mbështetet nga Bankat Shumëpalëshe për Zhvillim dhe partnerët donatorë, si dhe me mbështetje teknike nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

"Në qendër të këtij bashkëpunimi është mbështetja për një tranzicion të drejtë, duke theksuar përkushtimin për një tranzicion që nuk është vetëm ekonomikisht profitabil, por edhe shoqërisht i drejtë dhe gjithëpërfshirës, ​​dhe duke përfshirë mekanizma për t'u marrë me dallimet e mundshme sociale dhe ekonomike që dalin nga tranzicioni. Ndihma për punëtorët dhe komunitetet e prekura nga zëvendësimi i qymyrit, duke u dhënë atyre akses në punë të reja të gjelbërta me cilësi të lartë dhe ofrimi i zgjidhjeve të lokalizuara janë një nga prioritetet tona kryesore gjatë gjithë këtij procesi", tha Bekteshi.

Ministri shtoi se platforma e investimeve është në përputhje me dokumentet e tjera strategjike të miratuara nga Qeveria, duke përfshirë Planin Nacional për Energji dhe Klimë, Strategjinë për Zhvillimin e Energjisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut deri në vitin 2040, veçanërisht në lidhje me heqjen graduale të të gjitha kapaciteteve të termocentraleve në qymyr deri në vitin 2030.

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Kaja Shukova në samit nënvizoi se vetëm përmes veprimit të përbashkët dhe partneritetit në realizimin e synimeve të përcaktuara me ambiciozitet, është i mundur një tranzicion i drejtë energjetik dhe përmbushja e synimeve të përcaktuara ambicioze kombëtare.

Kryetarja e BERZH-it Reno-Baso tha se ata janë krenarë që janë partnerë të Maqedonisë së Veriut në këtë platformë inovative të udhëhequr nga një vend, që bashkon angazhimet e qeverisë, mbështetjen ndërkombëtare dhe financat private për të përshpejtuar një tranzicion të drejtë energjetik.

Nga BERZH sot kumtuan se platforma përfaqëson një moment historik për vendin historikisht të varur nga qymyri dhe thekson ambicien e tij për të transformuar sektorin dhe ekonominë e tij të energjisë në një furnizim me energji elektrike me karbon të ulët, me kosto më të ulëta dhe sigurimin e besueshmërisë në furnizimin me energji elektrike.

"Kjo do të përforcojë angazhimin ekzistues të Maqedonisë së Veriut, siç thuhet në Kontributet e saj Kombëtare për Ndryshimet Klimatike, për të reduktuar emetimet neto të gazeve serrë me 82 për qind deri në vitin 2030 krahasuar me nivelet e vitit 1990. Duke qenë se sektori i energjisë kontribuon ndjeshëm në emetimet e vendit, ku qymyri ka zënë historikisht mbi 40 për qind të prodhimit, tranzicioni i energjisë është kyç për arritjen e këtij qëllimi", theksojnë nga BERZH.

Siç informojnë, kalimi në një ekonomi të gjelbër do të rezultojë me përfitime neto ekonomike, duke mbështetur Maqedoninë e Veriut që të hyjë në zinxhirët e vlerave të gjelbra dhe të rrisë konkurrencën e ekonomisë së saj. Megjithatë, rajonet e varura nga qymyri mund të preken në mënyrë të pabarabartë. Për të zgjidhur këtë, platforma do të mbështesë diversifikimin ekonomik rajonal dhe zhvillimin e kapitalit njerëzor në përputhje me udhërrëfyesin e tranzicionit të drejtë të mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe BERZH.

Arritja e këtyre synimeve do të kërkojë investime të konsiderueshme në vend, të vlerësuara në rreth 3 miliardë euro deri në vitin 2030. Ato pritet të mobilizohen kryesisht përmes sektorit privat duke zhbllokuar barrierat e tregut, veçanërisht për vendosjen e burimeve të rinovueshme të energjisë përmes ankandeve konkurruese.

Platforma do të bazohet në bashkëpunimin e suksesshëm me Fondin e Investimeve Klimatike, i cili pritet të ofrojë deri në 85 milionë dollarë grante dhe financime koncesionare për rajonet e prekura nga qymyri, që është subjekt i miratimit nga Komiteti i Fondit bazuar në planin e investimit të përgatitur për të përshpejtuar tranzicionin e qymyrit, të cilin Maqedonia e Veriut duhet ta dorëzojë deri në shkurt 2024.

"BERZH synon të përdorë përvojën e saj nga Iniciativa për tranzicion të drejtë dhe mbështetjen e saj për shtyllën e energjisë të Nexus egjiptian për ushqim, ujë dhe energji (NWFE), e cila u lançua vitin e kaluar në KOP27 në Egjipt dhe tashmë po ofron investime të rëndësishme me 1,8 gigavat kapacitet të erës dhe diellit të nënshkruar vitin e kaluar", thuhet në kumtesën e BERZH-it. ls/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR