• e hënë, 23 dhjetor 2024

Malishiq: Disa kompani e shtrenjtuan bukën për 10 për qind, stabilizimi i çmimit me nisjen e të korrave

Malishiq: Disa kompani e shtrenjtuan bukën për 10 për qind, stabilizimi i çmimit me nisjen e të korrave

Shkup, 12 qershor 2024 (MIA) - Disa kompani e shtrenjtuan bukën për 10 për qind, thonë mullisët. Kjo, sipas tyre, është implikim i rritjes së çmimit të grurit në bursat botërore dhe tregjet rajonale në maj me të njëjtën përqindje.

Siç thotë për MIA-n kryetari i Grupacionit të industrisë së mullirit dhe furrave pranë Odës Ekonomike Goran Malishiq, në periudhën e ardhshme, me nisjen e të korrave, pritet çmimi të stabilizohet dhe të ulet, përkatësisht të kthehet në nivelin e njejtë siç ishte deri tani.

"Disa kompani e shtrenjtuan bukën për 10 për qind sepse çmimet e miellit u rritën për dhjetë për qind. Produktet tjera të furrave mbesin në nivel të njejtë. Presim çmimi i bukës të stabilizohet me fillimin e të korrave", deklaroi Malishiq. 

Ai përmendi se ende nuk dihet se cila do të jetë sasia dhe cilësia e grurit.

"Kjo do të dihet me fillimin e korrjeve. Si Grupacion presim Qeveria të mbetet në masat e vitit të kaluar për subvencionimin e bujqve në lidhje me grurin dhe elbin - tre denarë për një kilogram të shitur gru dhe 100 euro për hektarë për një rendiment prej të paktëm tre tonë elb", theksoi Malishiq.

Muajin e kaluar disa nga furrat pohuan se buka nuk do të shtrenjtohet në dy muajt e ardhshëm, dhe se çmimi i saj është stabil.

"Në bursat botërore ka ndryshime në çmimet e drithit, por tani për tani, së paku 1,5 deri në dy muaj, çmimi i bukës dhe i produkteve tjera ushqimore bazë në vend nuk do të ndryshojë. Pas një ose dy muajsh sërish do të bëhet analizë duke e marrë parasysh konfliktin ruso-ukrainas dhe turbulencat në Lindjen e Mesme, si dhe për shkak të shtrenjtimit të naftës që mund të nënkuptojë një çmim potencial më të lartë të lëndëve të para në industrinë ushqimore dhe në përgjithësi, në të gjtihë industrinë. Nga prodhues të mëdhenj si Ukraina dhe Rusia kanë mbërritur informacione se nuk dihet se si do të zhvillohen korrjet atje për shkak të veprimeve ushtarake, të cilat ndikojnë në bursë. FAO vuri në dukje një rritje në përqindje të çmimit të grurit. Por, kjo është e parëndësishme dhe ne si Odë e Agrobiznesit pretendojmë se në periudhën e ardhshme do të ketë stabilitet në çmimet e produkteve ushqimore, së paku në segmentin e produkteve bazë si drithërat dhe produktet e furrës", tha Goran Gjorgjievski nga Oda e Agrobiznesit të Lidhjes së Odave Ekonomike (LOE). sa/

foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR