• e diel, 22 dhjetor 2024

Makron: Ukraina duhet të lejohet të përdorë armë perëndimore për të qëlluar objektivat në Rusi

Makron: Ukraina duhet të lejohet të përdorë armë perëndimore për të qëlluar objektivat në Rusi

Paris, 29 maj 2024 (MIA) - Presidenti francez Emanuel Makron tha sot se ai bën përpjekje që Ukrainës t'i lejohet të sulmojë bazat ushtarake në Rusi me armë me rreze të gjatë të ofruara nga partnerët e saj perëndimorë.

Me këtë, Makron iu bashkua deklaratave të mëparshme të sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili po ashtu mbrojti ndryshimin e këtij qëndrimi, për shkak të kompleksitetit të luftës në Ukrainë.

Edhe përfaqësuesi i lartë i BE-së, Zhozep Borrell, u bëri thirrje dje anëtarëve të Unionit që të gjejnë një ekuilibër mes frikës së përshkallëzimit dhe nevojës që ukrainasit të mbrohen, duke vlerësuar se Kievi duhet të jetë në gjendje të qëllojë në territorin rus me armët perëndimore.

Çështja nëse do t'i lejohet Ukrainës të qëllojë objektiva në tokën ruse me armë të furnizuara nga perëndimi ka qenë delikate që kur Moska filloi pushtimin e saj në Ukrainë më 24 shkurt të vitit 2022.

Udhëheqësit perëndimorë janë përmbajtur kryesisht nga ndërmarrja e këtij hapi, sepse ekziston rrezik të provokojë presidentin rus Vladimir Putin, i cili ka paralajmëruar vazhdimisht se përfshirja e drejtpërdrejtë perëndimore mund ta sjellë botën në prag të konfliktit bërthamor.

Makron tha se qëndrimi i Francës ishte se Ukraina duhet të lejohet të neutralizojë vendet ushtarake ruse nga të cilat lëshon raketa. sa/

foto: DPA

QËNDRONI TË LIDHUR