• e shtunë, 22 shkurt 2025

Makron sot nikoqir i një takimi urgjent jozyrtar të liderëve evropianë për Ukrainën

Makron sot nikoqir i një takimi urgjent jozyrtar të liderëve evropianë për Ukrainën

Paris, 17 shkurt 2025 (MIA) - Liderët e disa vendeve evropiane sot mblidhen në Paris për të rënë dakord për një qëndrim të përbashkët për Ukrainën para administratës së presidentit amerikan Donald Tramp.

Takimi mbahet në një kohë kur administrata e Trampit po kritikon ashpër BE-në dhe synon të negociojë drejtpërdrejt me Rusinë për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Presidenti francez Emanuel Makron do të jetë nikoqir i përfaqësuesve nga vendet kryesore evropiane, konfirmoi ministri francez i Punëve të Jashtme, Zhan-Noel Baro.

Pallati Elize njoftoi se takimi është joformal dhe do të zhvillohet pasditen e sotme, ku do të marrin pjesë liderët e Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Italisë, Polonisë, Spanjës, Holandës dhe Danimarkës, si dhe kryetari i Komisionit Evropian dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute.

“Qëllimi është të përcaktohet se çfarë mund të bëjnë evropianët për veten e tyre, duke pasur parasysh përshpejtimin e ngjarjeve në Ukrainë pas iniciativave të Presidentit Tramp”, tha një këshilltar i Makronit. Ai theksoi se Evropa duhet të marrë më shumë përgjegjësi për sigurinë e saj.

Takimi zhvillohet në një moment jashtëzakonisht të ndjeshëm. Tramp foli së fundmi me telefon me presidentin rus Vladimir Putin, gjatë të cilit u përmend mundësia e negociatave për Ukrainën. Kjo i shqetësoi liderët evropianë.

Javën e kaluar Trampi paralajmëroi se do të takohet me Putinin në Arabinë Saudite për të nisur negociatat për Ukrainën, por dje i pyetur për datën e saktë, ai u përgjigj se takimi mund të ndodhë shumë shpejt, por se ende nuk ka datë të saktë.

Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodimir Zelenski ka mbërritur në Emiratet e Bashkuara Arabe, i cili më parë ka njoftuar se mund të vizitojë edhe Arabinë Saudite.

Në Konferencën e Sigurisë në Mynih, e cila përfundoi dje, nënpresidenti amerikan Xhej Di Vans e kritikoi BE-në, duke e akuzuar atë për mosrespektim të lirisë së fjalës. Ai konfirmoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po shqyrtojnë negociata për Ukrainën pa pjesëmarrjen e evropianëve.

Presidenti ukrainas Zelenski u bëri thirrje aleatëve që të mbeten të fortë dhe të parandalojnë një marrëveshje që do të arrihet pas shpinës së Ukrainës dhe Evropës.

“Tramp nuk përmendi asgjë se Amerika ka nevojë për Evropën në tryezën e bisedimeve”, tha Zelenski. “Ai respekton vetëm forcën”.

“Ukrainasit nuk do të ndalen derisa të binden se paqja që u ofrohet është e qëndrueshme dhe derisa të kenë garanci sigurie”, theksoi më tej ai.

Ministri francez i Punëve të Jashtme Zhan-Noel Baro deklaroi se Evropa do të jetë pjesë e negociatave për Ukrainën, në një mënyrë ose në një tjetër.

“Roli i SHBA-së është të detyrojë Putinin të negociojë, ndërsa ata (amerikanët) mendojnë se do ta arrijnë këtë përmes një përzierje dialogu dhe presioni”, shtoi Brro.

"Ne e kemi kuptuar shumë kohë më parë se është e kotë të kemi dialog. Dhe unë mendoj se ata do të kuptojnë shpejt se vetëm presioni mund ta sjellë Putinin në tryezën e bisedimeve", shtoi Baro.

Ai gjithashtu e përshkroi kthimin e Rusisë në G7 si të paimagjinueshëm, duke reaguar ndaj deklaratës së Donald Trampit për këtë qëllim.

Ministrat e Punëve të Jashtme të Francës, Gjermanisë, Italisë, Polonisë, Spanjës, Mbretërisë së Bashkuar dhe Ukrainës zhvilluan një takim të mërkurën e kaluar në Paris. Dhe pikërisht atëherë, ata u habitën kur mësuan se Tramp kishte pasur një bisedë telefonike me Putinin që zgjati një orë e gjysmë. Më pas ministrat e Punëve të Jashtme deklaruan unanimisht se nuk do të ketë zgjidhje për Ukrainën pa Kievin, as pa ta. ls/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR