• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Lufta për drejtësi dhe shtet ligjor është luftë për të mbajtur të rinjtë në vend dhe për të ardhmen e vendit, thotë Siljanovska Davkova

Lufta për drejtësi dhe shtet ligjor është luftë për të mbajtur të rinjtë në vend dhe për të ardhmen e vendit, thotë Siljanovska Davkova

Shkup, 25 dhjetor 2024 (MIA) - Një nga problemet kryesore të qytetarëve të Maqedonisë është drejtësia. Por drejtësia kërcënohet nga korrupsioni endemik dhe krimi i organizuar, të cilët së bashku me konfliktet e interesit, nepotizmin dhe klientelizmin, po minojnë shtetin ligjor, po zhvlerësojnë institucionet, po dëbojnë të rinjtë dhe po zbrazin vendin tonë. Pa drejtësi nuk ka siguri në planifikimin e jetës, tha presidentja Gordana Siljanovska Davkova në fjalimin e saj vjetor në Kuvend. 

“Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është lufta më e rëndësishme e kësaj qeverie. Në këtë luftë, ne nuk jemi vetëm. Kemi besimin e qytetarëve të Maqedonisë dhe mbështetjen e partnerëve tanë strategjikë, duke përfshirë shtimin e listës së zezë. Na piu e zeza nëse nuk e dallojmë të zezën dhe nuk e zbardhim duke e sanksionuar. Tani e kanë rradhën institucionet kompetente maqedonase. Qytetarët prisnin dhe akoma po presin rezultate konkrete. Çdo vonesë do të nënkuptonte tolerimin e paligjshmërisë dhe padrejtësisë. Askush nuk duhet të jetë i paprekshëm. Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin. E gjithë shoqëria nuk mund të vuajë dënimin për shkak të mosndëshkimit të disave”, theksoi Siljanovska Davkova. 

Por, theksoi presidentja, lufta nuk duhet të reduktohet vetëm në këto pak raste të profilit të lartë, sepse korrupsioni është i rrënjosur thellë në çdo pore të shoqërisë. 

“Mosbesimi ndaj gjyqësorit nuk është i rastësishëm. Lordi i zgjuar Ekton me të drejtë pohon se çdo pushtet korrupton, dhe pushteti absolut - absolutisht. Nga ana tjetër, Robert Hajslop paralajmëroi se krim ka në çdo vend, por në Ballkan kriminelët kanë shtetet e tyre. Prandaj duhen reforma të përshpejtuara dhe të thella në drejtësi. 

Ajo ka theksuar se Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli për Prokurorë Publikë duhet të jenë gardianët e vërtetë të pavarësisë së gjyqësorit dhe filtri nëpër të cilin do të mund të kalojnë vetëm ata cilësorët dhe jo të korruptuarit. 

“Nga kjo varet rikthimi i besimit të lëkundur të qytetarëve të Maqedonisë në gjyqësor. Lufta për drejtësi, për shtet ligjor është luftë për mbajtjen e të rinjve nga vendi ynë dhe për të ardhmen e vendit”, theksoi ajo. 

Kur flas për drejtësi, shtoi presidentja, nuk kam parasysh vetëm drejtësinë dhe shtetin ligjor. 

“Për të mos u bërë shtet i rasteve sociale, duhet drejtësi sociale. Dhe në Kushtetutë, Maqedonia është përcaktuar si shtet social, i cili duhet t'i ndihmojë shtresat vunerabël, çdo person, çdo familje të ketë një jetë të denjë. Buxheti i miratuar nga ju deputetë është zhvillim dhe investim, por me një komponent social. Kjo është për t'u përshëndetur, veçanërisht në këtë kohë të çmimeve super të larta. Secili prej nesh duhet të bëjë atë që mundet për të ndihmuar kategoritë vulnerabël. Megjithëse kompetencat  e mia në këtë fushë janë të kufizuara, unë bëj atë që mundem. Unë u bëra një zë për ata që përballen me diskriminim sistemik, si punëtorët e tekstilit apo gratë rurale që luftojnë për kushte më dinjitoze pune. Për shkak të pabarazisë gjinore, shumë gra mbajnë padrejtësisht një barrë të dyfishtë – kujdesin për shtëpinë dhe familjen, por edhe përkujdesjen për të ardhurat. Është e nevojshme të integrohen perspektivat gjinore në çdo punë”, tha presidentja në fjalimin e saj vjetor. 

 

QËNDRONI TË LIDHUR