LSDM-ja paralajmëron kallëzim penal kundër deputetes Saliu-Fetai
- Grupi parlamentar i LSDM-së në konferencën për media paralajmëroi se do të ngrejë kallëzim penal kundër deputetes së “VLEN”-it, Imërlije Saliu-Fetai, për siç thonë, shkelje të rëndë të Rregullores rreth kryesimit të sotëm të Komisionit për politikë sociale, rini dhe demografi.
- Post By Fami Bajrami
- 14:10, 14 mars, 2025

Shkup, 14 mars 2025 (MIA) - Grupi parlamentar i LSDM-së në konferencën për media paralajmëroi se do të ngrejë kallëzim penal kundër deputetes së “VLEN”-it, Imërlije Saliu-Fetai, për siç thonë, shkelje të rëndë të Rregullores rreth kryesimit të sotëm të Komisionit për politikë sociale, rini dhe demografi.
"Ne paralajmërojmë se do të ndërmarrim masa konkrete ligjore, gjegjësisht do të iniciojmë kallëzim penal kundër kryetares së Komisionit, Imërlije Fetai-Saliu për shkelje të rëndë të Rregullores së punës dhe shkelje të rëndë të të drejtave të deputetëve. Njëherësh do të paraqesim iniciativë në Gjykatën Kushtetuese ku do të kërkojmë që të konstatohet shkelje e së drejtës së deputetëve të cilëve ju pamundësua të vendosin dhe propozojnë ndryshime dhe plotësime të rendit të ditës", tha koordinatori i Grupit parlamentar të LSDM-së, Oliver Spasovski.
Ai theksoi se nga ana e kryesueses së Komisionit, Fetai, është shkelur rëndë Rregullorja e Kuvendit, konkretisht neni 131, me çka ka shkelur drejtpërdrejt Rregulloren e Kuvendit, duke mos lejuar, siç tha ai, fare të hapet debat për propozimin e rendit të ditës, as mundësinë për ndryshim dhe plotësim të rendit të ditës me sqarimin se kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi ka konstatuar rendin e ditës dhe nuk ka pasur nevojë të konstatohet rendi i ditës nga ana e anëtarëve të Komisionit.
"Neni 131 i Rregullores së punës thotë se ‘rendi i ditës së seancës së trupit punues përcaktohet në fillim të seancës’. Paragrafi dy thotë se ‘në rend dite mund të përfshihen edhe pyetjet e propozuara nga deputetët, kryetari i Kuvendit dhe Qeveria’. Kjo tregon se shumica parlamentare e udhëhequr nga VLEN dhe VMRO-DPMNE duan ta marrin plotësisht nën kontroll Dhomën legjislative. Me këtë madje të rrezikohen të drejtat e deputetëve, të mos lejohet fare mundësia që opozita të bëjë propozime dhe secila seancë të mbahet vetëm për çështjet që shumica parlamentare dëshiron t'i ngrejë", tha ai.
Sipas Spasovskit, ky është një sulm i paprecedentë ndaj demokracisë dhe shkatërrim i demokracisë në Dhomën legjislative, ku siç tha ai, “demokracia duhet të jetë më e zhvilluar, sepse Kuvendi, është tempull i demokracisë”.
Foto: MIA