Londra: Situata humanitare në Gazë po përkeqësohet dhe shkakton shqetësim
- – Situata humanitare në Rripin e Gazës u përkeqësua përsëri dhe po shkakton shqetësim serioz, bëhet e ditur në kumtesën e përbashkët të Britanisë së Madhe, Kanadasë, Francës dhe vendeve të tjera, të cilën e publikoi Ministria britanike e Punëve të Jashtme.
- Post By Fitore Curri
- 20:46, 30 dhjetor, 2025
Londër, 30 dhjetor 2025 (MIA) – Situata humanitare në Rripin e Gazës u përkeqësua përsëri dhe po shkakton shqetësim serioz, bëhet e ditur në kumtesën e përbashkët të Britanisë së Madhe, Kanadasë, Francës dhe vendeve të tjera, të cilën e publikoi Ministria britanike e Punëve të Jashtme.
Në kumtesë bëhet e ditur se Izraeli në lidhje me këtë duhet të ndërmarrë masa urgjente, tu lejojë organizatave joqeveritare të punojnë në Izrael në mënyrë të qëndrueshme dhe të parashikuar dhe të sigurojë se Kombet e Bashkuara mund ta vazhdojnë punën e tyre në enklavën palestineze.
“Shprehim shqetësim serioz për shkak të përkeqësimit të serishëm të situatës humanitare në Gazë e cila edhe më tutje është katastrofale”, theksohet në kumtesën e ministrave të Punëve të Jashtme të Kanadasë, Danimarkës, Finlandës, Francës, Islandës, Japonisë, Norvegjisë, Suedisë, Zvicrës dhe Britanisë së Madhe.
Në kumtesë theksohet se Izraeli duhet t’i heqë “kufizimet e paarsyeshme” të importit të disa produkteve, duke përfshirë pajisje mjekësore dhe pajisje për strehim dhe t’i hapë vendkalimet kufitare që të rritet fluksi i ndihmës humanitare në Gazë.
Agjencitë humanitare bëjnë të ditur se është e nevojshme shumë më shumë ndihmë të arrijë në Rripin e Gazës dhe e akuzojnë Izraelin se e bllokon hyrjen e artikujve të nevojshëm.
Izraeli thotë se në Rripin e Gazës mbërrin më shumë se ushqim i mjaftueshëm dhe se probleme me shpërndarjen e ushqimit ekzistojnë brenda në Gazë. fc/
Foto: MPJ britanike