• e shtunë, 23 nëntor 2024

Llojd Ostin i bëri thirrje ministrit izraelit të Mbrojtjes të shqyrtojë alternativa për ofensivën tokësore në Rafa

Llojd Ostin i bëri thirrje ministrit izraelit të Mbrojtjes të shqyrtojë alternativa për ofensivën tokësore në Rafa

Uashington, 21 mars 2024 (MIA) - Sekretari amerikan i mbrojtjes, Llojd Ostin i bëri thirrje homologut të tij izraelit Joav Galant që të shqyrtojë alternativa për ofensivën tokësore në qytetin Rafa në pjesën jugore të Rripit të Gazës, informon DPA.

Pentagoni bëri të ditur se Ostini dje përmes telefonit ka biseduar me Galant, me çka ka theksuar se Izraeli duhet të shqyrtojë opsione të tjera përveç një operacioni të madh tokësor në Rafa. 

Sekretari amerikan i mbrojtjes përsëriti se urgjentisht duhet të ndërmeren masa shtesë për mbrojtje të popullatës civile dhe sigurisë të personelit ushtarak amerikan i cili ndërton port të përkohshëm në bregun në Gazë. Ostini, gjithashtu, u angazhua për më shumë mundësi për transport të ndihmës në rrugë tokësore. 

Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu dje në një video porosi tha se përgatitjet për një ofensivë të tillë do të zgjasin "një kohë". Ai sqaroi se i ka thënë presidentit amerikan Xho Bajden në bisedën e tyre të fundit telefonike se nuk është e mundur "të arrihet fitorja pa hyrë forcat izraelite të mbrojtjes (IDF) në Rafa që t'i eliminojnë mbetjet e batalioneve të Hamasit". 

Netanjahu, gjithashtu, përsëriti se tashmë e ka miratuar planin operativ të IDF-së për Rafa. "Dhe së shpejti do ta miratojmë edhe planin për evakuim të popullatës civile nga zonat e luftës", shtoi ai. fc/

Fotografia: Arkivi

QËNDRONI TË LIDHUR