• e diel, 22 dhjetor 2024

Lloga: Para nesh janë ndryshimet kushtetuese, prej nesh varet nëse do të hapërojmë në rrugën drejt BE-së

Lloga: Para nesh janë ndryshimet kushtetuese, prej nesh varet nëse do të hapërojmë në rrugën drejt BE-së

Tetovë, 29 prill 2023 (MIA) - Fillimi i negociatave për anëtarësim në BE kërkon nga ne që të intensifikohen aktivitetet për fuqizimin e sundimit të ligjit dhe sigurisë ligjore (juridike) nëpërmjet të reformave në sistem dhe harmonizimit të legjislacionit, porositi ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, në fjalimin e tij në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare "Aspektet bashkëkohore të doktrinës juridike dhe interpretimi-sfidat dhe perspektivat" në organizim të Fakultetit Juridik në kuadër të Universitetit të Evropës Juglindore (UEJL) në Tetovë.

Lloga theksoi se reformat në sistemin gjyqësor nuk guxojnë dhe nuk mund të mbeten vetëm në letër.

"Ligjet e miratuara duhet të zbatohen, ndërsa reformat duhet të mundësojnë ndryshim të praktikave dhe shprehive (në veçanti të shprehive të gabuara) si dhe të paragjykimeve. Ministria e Drejtësisë mbetet e përkushtuar në përmirësimin dhe fuqizimin e kornizës ligjore dhe institucionale në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Agjenda e reformës kërkon përkushtim, njohuri, por edhe  mbështetje nga të gjithë faktorët në përpjekjen për t'u bërë pjesë e familjes së madhe evropiane. Para nesh janë ndryshimet kushtetuese. Nga ne varet nëse do të ecim në rrugën e BE-së, apo do të qëndrojmë në vend. Është koha që të gjithë së bashku të marrim një vendim shtetëror”, tha Lloga.

Siç potencoi, Kapitulli 23 "Gjyqësia dhe të drejtat themelore" nga Klasteri "Themelet" është kyç në procesin e eurointegrimit.

“Kemi vullnet politik, por edhe përkushtim për të zgjidhur mangësi të caktuara në fushën e gjyqësorit, si dhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Si Ministri e Drejtësisë, ne kemi bërë shumë në drejtim të reformave në sistemin e gjyqësorit; në proces është digjitalizimi në gjyqësor, po përgatitet një Strategji e re për Reformën e Sektorit të Gjyqësorit 2023-2027. Pas, gati tri dekadave, me siguri deri në fund të vitit do të kemi Kod Penal krejtësisht të ri, ndërsa në proces është edhe përgatitja e Kodit të parë Civil në të cilin për herë të parë në një akt do të jetë e kodifikuar çështja civilo-juridike. Këtu janë edhe Ligjet për falje, për menaxhim me pasurinë e konfiskuar, për drejtësinë për fëmijët, për kryerjen e sankcioneve dhe të tjera, të cilat së shpejti do të hyjnë edhe në procedurë parlamentare”, theksoi Lloga.

QËNDRONI TË LIDHUR