• e hënë, 23 dhjetor 2024

Lloga- Mejer: SHBA-ja është miku ynë i madh dhe partner strategjik në të gjitha proceset demokratike

Lloga- Mejer: SHBA-ja është miku ynë i madh dhe partner strategjik në të gjitha proceset demokratike

Shkup, 5 prill 2023 (MIA)- Ndryshimet kushtetuese, vetingu, Kodi zgjedhor, lufta kundër krimit dhe korrupsionit, gjendja në burgjet dhe përparimi i bashkëpunimit në pjesën e reformave në gjyqësor kanë qenë disa nga temat për të cilat biseduan sot ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga dhe zëvendësshefi i Misionit të ambasadës së SHBA-së në Shkup, Erik Mejer.

"Lloga e informoi Mejerin se pret që të gjitha partitë parlamentare, duke përfshirë edhe VMRO-DPMNE-në, më së voni deri më 10 prill të propozojnë nga një anëtar të tyre për në grupin punues i cili do të përgatisë ndryshimet kushtetuese. Pritet që grupi punues zyrtarisht të formohet deri nga mesi i këtij muaji", theksohet në kumtesën e Ministrisë së Drejtësisë.

Lidhur me vetingun, ministri Lloga, përsëriti se ky proces do të mund të realizohet vetëm me një përkrahje të qartë nga SHBA dhe BE.

"Zëvendësshefi i Misionit të ambasadës së SHBA-së, Erik Mejer u informua edhe për ligjet të cilat janë në procedurë parlamentare, zgjidhja e re ligjore për Akademinë për gjyqtarë dhe prokurorë publikë me të cilin ligj propozohet riorganizim i provimit pranues me qëllim të përgatitjes më të mirë të kandidatëve për pjesëmarrje të suksesshme në trajnime, ridefinimi i  mënyrës së dhënies së provimit përfundimtar duke u bazuar në qëndrime dhe kriteriume objektive për vlerësimin e diturive të kandidatëve. U diskutua edhe për rastet politike të montuara dhe ndodhitë e fundit në INP Idrizovë dhe burgjet tjera në shtet", informojnë në Ministrinë e Drejtësisë. 

Ministri Lloga, theksoi se SHBA-ja është mik i madh dhe partner strategjik i Republikës së Maqedonisë së Veriut në të gjitha proceset demokratike. Ndryshe në takim, siç thonë prej atje, është dakorduar që bashkëpunimi të intensifikohet në periudhën në vijim. 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR