Ljutkov për vizitë në TKM: Në institucion nuk është investuar për shtatë vjet, për këtë duhet të ketë përgjegjësi personale
- Ministri i Kulturës dhe Turizmit Zoran Ljutkov sot vizitoi Institucionin Kombëtar Teatrin Kombëtar të Maqedonisë (TKM), me ç'rast theksoi se ky institucion në mënyrë tendencioze nuk është mirëmbajtur për shtatë vjet. Përmendi se ekzistojnë disa pika problematike, siç janë ballkonet e anës së majtë dhe të djathtë, por sqaroi se do të investojnë fazë pas faze në përmirësimin e TKM-së. Kjo, siç tha, ndoshta do të shkojë më ngadalë, por në mënyrë cilësore.
- Post By Sara Ademi
- 15:54, 14 nëntor, 2024
Shkup, 14 nëntor 2024 (MIA) - Ministri i Kulturës dhe Turizmit Zoran Ljutkov sot vizitoi Institucionin Kombëtar Teatrin Kombëtar të Maqedonisë (TKM), me ç'rast theksoi se ky institucion në mënyrë tendencioze nuk është mirëmbajtur për shtatë vjet. Përmendi se ekzistojnë disa pika problematike, siç janë ballkonet e anës së majtë dhe të djathtë, por sqaroi se do të investojnë fazë pas faze në përmirësimin e TKM-së. Kjo, siç tha, ndoshta do të shkojë më ngadalë, por në mënyrë cilësore.
"Mund të them se gjendja me këtë teatër të rrënuar ka shtatë deri në tetë vjet. Ndonëse diheshin pozicionet që diku pikon, diku rrjedh, diku ka problem dhe ndonëse ka pasur mjete për riparime ndër vite, nuk ka ndodhur. Mund të them se TKM-ja kishte tendencë të dukej në një gjendje kaq të dëshpëruar. Është ndërtuar me shumë dashuri. Aktorët nga TKM-së morën një ndërtesë të bukur. Nuk them se nuk ka pasur lëshime në ndërtim, ndoshta ka pasur, por nga viti 2017 e në vazhdim është dashur të ndërhyhet, duhet mirëmbajtur. Nëse nuk i pastroni ulluqet, nëse nuk e mirëmbani çatinë, atëherë do të na ndodhë kjo situatë dhe fotografia e shëmtuar që shohim sot", tha Ljutkov.
Lidhur me buxhetin që ka ky institucion kombëtar, Ljutkov tha se në vitin 2017 ka qenë madje 14 milionë, ndërsa tani mezi ka katër milionë denarë për produksion. Sipas Ljutkovit, ky institucion u shkatërrua sistematikisht vit pas viti, në aspektin e prodhimit dhe investimeve.
Ai theksoi se janë zbuluar disa pika të cilat janë më problematike, këto janë ballkonet në anën e majtë dhe të djathtë. Ai shtoi se me një projekt mund të zgjidhen pikat kyçe dhe kjo nuk kërkon një investim tepër të madh.
Ai është i mendimit se bëhet fjalë për një punë të pakujdesshëm dhe shpreson se do të gjendet fajtori kryesor. Ljutkov përmendi se duhet të ketë përgjegjësi për këtë.
"Shpresoj që të gjendet fajtori, por e them sërish se kjo është punë joadekuate. Nëse keni siguruar mjete për investime dhe nuk investoni ose nëse ju lind një problem dhe nuk ndërhyni, do të thotë se e keni bërë punën tuaj nga pakujdesia. Duhet të ketë përgjegjësi personale për këtë situatë", tha Ljutkov.
Drejtori i TKM-së, Nikolla Kimovski tha se kjo vizitë pune është nga vlera e madhe, sepse në shtatë vitet paraprake ky teatër nuk është vizituar nga asnjë ministër i Kulturës.
Ai informoi se që nga emërimi i tij janë realizuar tri projekte - skena verore "Slavisha Kaevski", e cila është realizuar me mjetet e tij, si dhe janë realizuar edhe dy premiera, bashkëproduksione.
Në pyetjen e gazetarëve drejtuar ministrit për gjendjen në teatrot tjera në vend, ai u përgjigj se institucionet e Operës dhe Baletit Kombëtar, Filarmonisë, TKM-së dhe Teatrit në Veles janë në gjendje të mirë teknologjike skenike dhe janë të pajisura teknikisht.
Ai tha se problemi me TKM-në është puna joadekuate, por ky teatër së bashku me teatrin në Veles kanë teknologjinë më të mirë skenike. Siç tha ai, teatrot apo qendrat e tjera kulturore janë në gjendje të dëshpëruar. sa/
Foto: MIA