Liridon Disha: Në xhepat e kujt përfundojnë paratë publike të NPK-së?!
- Pavarësisht se buxheti i paraparë për Ndërmarrjen Publike Komunale NPK "Tetova" – Tetovë është trefishuar gjatë vitit të fundit, punëtorët e kësaj ndërmarrjeje vazhdojnë të maltretohen në mënyrë të pafalshme – aktualisht me katër paga të papaguara dhe mbi 1 vit pa u paguar sigurim!
- Post By Fami Bajrami
- 12:21, 29 korrik, 2025
Shkup, 29 korrik 2025
Pavarësisht se buxheti i paraparë për Ndërmarrjen Publike Komunale NPK "Tetova" – Tetovë është trefishuar gjatë vitit të fundit, punëtorët e kësaj ndërmarrjeje vazhdojnë të maltretohen në mënyrë të pafalshme – aktualisht me katër paga të papaguara dhe mbi 1 vit pa u paguar sigurim!
Nëse as buxheti prej 60 milionë denarësh për vitin e kaluar nuk mjaftoi për të siguruar pagat bazë të punëtorëve, atëherë sa para do duhet të japin qytetarët e Tetovës që udhëheqësit e komunës të mjaftohen?
Ne ngrisim dyshime serioze për rrjedhje fondesh dhe keqmenaxhim sistematik. Prandaj pyesim publikisht kryetarin Bilall Kasami:
Në xhepat e kujt përfundojnë paratë publike të NPK-së? A përfundojnë ato në duart e familjarëve, shokëve të partisë apo të të punësuarve fiktivë?
Po ashtu, pyesim publikisht:
Sa persona të afërt me partinë janë "rehatuar" në këtë ndërmarrje me kontrata të dyshimta, ndërkohë që punëtorët e vërtetë që punojnë natë e ditë në terren mbeten katër muaj pa rroga?
Pse nuk publikohet lista e të punësuarve dhe pozitat që mbajnë në NPK?
Pse nuk ka asnjë auditim të pavarur të financave të kësaj ndërmarrjeje publike?
Kjo nuk është thjesht papërgjegjësi – është abuzim i drejtpërdrejtë me paranë publike.
Punëtorët e ndershëm të NPK-së nuk e meritojnë këtë trajtim poshtërues.
Tetovarët nuk meritojnë të zhvaten, të mashtrohen dhe të keqpërdoren për interesa politike apo familjare.
Kërkojmë transparencë të plotë, hetim të menjëhershëm nga prokuroria dhe përgjegjësi penale për çdo keqpërdorim. Komuna e Tetovës duhet të japë llogari – tani!
Liridon Disha, koordinator i grupit të këshilltarëve të BDI-së në Këshillin komunal të Tetovës
______________________________________________________________________________________________________
MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit.