• e martë, 28 janar 2025

Limani: Me përpjekje të përbashkët për të avancuar cilësinë e edukimit parashkollor dhe të afirmojmë profesionin e edukatorit

Limani:  Me përpjekje të përbashkët për të avancuar cilësinë e edukimit parashkollor dhe të afirmojmë profesionin e edukatorit

Shkup, 27 janar 2025 (MIA) - Propozim programi "Arsimi Fillestar" u prezantua në takimin e sotëm me Grupin Konsultativ të Punës për Zhvillimin e Fëmijërisë së Hershme, ku morën pjesë dekanë të fakulteteve pedagogjike në vend, profesorë, ekspertë, punonjës nga Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë dhe Njësia e Projektit të Ministrisë.

Në takim morën pjesë edhe ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limani, Dekani i Fakultetit Filozofik-Shkup, Prof. Dr. Oliver Bakreski dhe specialistja e lartë e arsimit të Bankës Botërore, Bojana Naceva.

Siç njoftoi Ministria, gjatë diskutimit të hapur u shkëmbyen mendime për përvojat e fakulteteve që tashmë e kanë zbatuar programin dhe u propozuan hapat e ardhshëm.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, ministri Limani shprehu kënaqësinë për takimin e sotëm, i cili synon që përmes punës së përbashkët të harmonizohen programet e studimit të fakulteteve pedagogjike, të cilat janë kyçe për ofrimin e shërbimeve cilësore në kujdesin dhe edukimin parashkollor, por edhe për avancimin e kompetencave profesionale të edukatorëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

"Fëmijët janë e ardhmja jonë dhe do të mbeten gjithmonë në qendër të vëmendjes sonë. Me këtë reformë synojmë të krijojmë një profil bashkëkohor të një pedagogu të diplomuar, i cili do të jetë në përputhje me nevojat e fëmijëve bashkëkohorë dhe që do të zotërojë njohuri dhe aftësi që korrespondojnë me standardet më të fundit pedagogjike", theksoi Limani.

Ministria bën me dije se qasja e re e ofruar mundëson një bërthamë të unifikuar të lëndëve kryesore, të cilat do të përcaktojnë një profil të vetëm kombëtar për një edukator, do të përmirësojnë mësimdhënien praktike dhe do të forcojnë kriteret për përzgjedhjen e mentorëve dhe kopshteve, si dhe do të rrisin lëvizshmërinë akademike kombëtare.

"Edukatorët janë njerëzit kyç që punojnë me më të vegjlit tanë në parashkollorë dhe vendosin themelet për zhvillimin e tyre edukativ dhe personal. Është vendi i parë ku fëmija, pas familjes, do të udhëhiqet dhe mbështetet për të realizuar potencialin e tij të plotë. Ne si Ministri kemi obligim që t'u ofrojmë trajnime adekuate edukatorëve të ardhshëm, të cilët do të luajnë një rol kyç në formimin e brezave të ardhshëm", tha Limani.

Ai shprehu besimin se përmes bashkëpunimit të përbashkët do të mund të ndërtohet një sistem i qëndrueshëm që do t'i përgatisë studentët për sfidat reale në praktikë dhe do të vendosë baza të forta për zhvillimin e ardhshëm të procesit edukativ-arsimor në vendin tonë. sa/

Foto: Ministria e Politkës Sociale, Demografisë dhe Rinisë

 

QËNDRONI TË LIDHUR