• e hënë, 23 dhjetor 2024

Limani drejtuar të rinjve: Dyert tona janë të hapura për ju, le të krijojmë dhe realizojmë së bashku politikat e ardhshme rinore

Limani drejtuar të rinjve: Dyert tona janë të hapura për ju, le të krijojmë dhe realizojmë së bashku politikat e ardhshme rinore

Shkup, 25 shtator 2024 (MIA) - Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limani, sot mori pjesë në konferencën me temë “Nga Sllovenia në Maqedoninë e Veriut: Sinergjia e arsimit dhe biznesit në Maqedoninë e Veriut, organizuar nga Ambasada e Republikës së Sllovenisë, Organizata e Studentëve nga Maqedonia dhe Shoqëria e Biznesmenëve nga Sllovenia dhe Maqedonia.

Qëllimi i kësaj konference ishte që të mblidhen studentë të rinj, përfaqësues të institucioneve dhe biznesmenë në një vend, të dëgjojmë sfidat me të cilat po përballemi si vend dhe të punojmë së bashku në gjetjen e zgjidhjeve që do të përmirësojnë pasqyrën demografike të vendit, respektivisht t’i  kthejmë të rinjtë në atdhe dhe për t'u ofruar brezave të ardhshëm kushte për arsim dhe përparim në vendin e tyre.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, ministri Limani iu referua seriozitetit të situatës me të rinjtë nga Maqedonia, të cilët të ardhmen e tyre gjithnjë e më shumë e shohin në vende të tjera. Njëkohësisht, ai theksoi përkushtimin e kësaj Qeverie, e cila i njeh sfidat me të rinjtë dhe për të ngritur rëndësinë e tyre në shoqëri, ndaj e ka inkorporuar sektorin e rinisë si fushë prioritare në Ministrinë e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë.

 “Dua t’i referohem njërës prej anketave të fundit të Fondacionit Westminster  mbi pjesëmarrjen e të rinjve në jetën sociale dhe politike të vendit, sipas të cilës 62% e të rinjve do të shpërnguleshin nga Maqedonia nëse u jepej mundësia, madje edhe më brengosës është fakti që 77% e të rinjve nuk do të ktheheshin në Maqedoni nëse do të ishin larguar. Kushtet në sistemin arsimor, standardi studentor, shëndetësia, si dhe mundësitë e punësimit konsiderohen si faktorë që ndikojnë në vendimet e tyre. Këto shifra janë alarmi që tashmë është ndezur. Kjo situatë në të cilën ndodhet vendi ynë është shumë e rëndë. Dhe është përgjegjësi e jonë si Qeveri që të ndërmarrim hapa seriozë MENJËHERË, për të ndryshuar këtë trend negativ”, nënvizoi ministri Limani.
 
Ai po ashtu vuri në dukje se prezantimi i rezultateve të anketës të realizuar nga Organizata Studentore e Maqedonisë në Slloveni dhe prezantimet e studentëve nga universitetet në Slloveni se si të rinjtë e shohin mundësinë e kthimit në vendin e tyre për të qenë pjesë e komunitetit të shoqërisë janë udhërrëfyesit që duhet të ndjekim, nëse duam të arrijmë sukses në zgjidhjen e kësaj sfide.
 
“Ndjekja e kësaj tendence negative të largimit të të rinjve nga vendi dhe qëndrimit të tyre atje, rezultoi në krijimin e politikave konkrete dhe masave nxitëse nga kjo Qeveri, e cila merr përsipër t'i zbatojë ato me çdo kusht. Një nga prioritetet kryesore për të cilat do të punojmë është krijimi i vendeve të reja të punës për të rinjtë, që mund të arrihet përmes mbështetjes për sipërmarrjen dhe startup-et, ofrimin e mbështetjes financiare dhe granteve për sipërmarrësit e rinj, si dhe programet e trajnimit dhe mentorimit për zhvillimin e shkathtësive të biznesit”, tha ministri Limani.

 Ai i nënvizoi edhe partneritetet me sektorin privat, inkurajimin e investimeve nga kompanitë vendase dhe të huaja, lehtësimet dhe subvencionet tatimore, krijimin e partneriteteve publike-private për zhvillimin e projekteve të reja, mbështetjen e teknologjive dhe inovacioneve të reja, investimet në infrastrukturë dhe shërbime në zonat rurale si pjesë e masave që do të ndërmerren nga kjo Qeveri.
 
“Pasqyrën e studentëve të rinj që largohen nga vendi sepse nuk arritën të punësoheshin këtu dhe nuk u njohën potencialet e tyre, do ta zëvendësojmë me realitet të ri. Ndaj do të ofrojmë një ofertë pune të garantuar për studentët më të mirë. Kjo masë do të kontribuojë në uljen e papunësisë tek të rinjtë dhe do të ndihmojë në mbajtjen e të rinjve të talentuar në vend”, nënvizoi Limani.
 
Në fund të fjalimit të tij ai u porositi të rinjve se “dyert tona janë të hapura për ju, le të krijojmë dhe realizojmë së bashku politikat e ardhshme rinore”.

Fotografia: Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë

QËNDRONI TË LIDHUR