Lija e majmunëve në Maqedoni - epidemiologu Danillovski tha se nuk transmetohet lehtë dhe rreziku është i ulët për epidemi
- Në vendin tonë, dje për herë të parë janë konfirmuar laboratorikisht dy raste të lisë së majmunëve (Monkeypox). Pas konfirmimit të rasteve, epidemiologu Dragan Danillovski sqaroi se për çfarë sëmundje bëhet fjalë, duke theksuar se ajo nuk transmetohet lehtë dhe se rreziku për epidemi është shumë i ulët.
- Post By Qefsere Abduli
- 11:45, 23 maj, 2025
Shkup, 23 maj 2025 (MIA) - Në vendin tonë, dje për herë të parë janë konfirmuar laboratorikisht dy raste të lisë së majmunëve (Monkeypox). Pas konfirmimit të rasteve, epidemiologu Dragan Danillovski sqaroi se për çfarë sëmundje bëhet fjalë, duke theksuar se ajo nuk transmetohet lehtë dhe se rreziku për epidemi është shumë i ulët.
"Lija e majmunëve është sëmundje viroze e shkaktuar nga virusi monkeypox, i cili i përket të njëjtës familje me virusin e lisë (variola vera). Sipmtomat zakonisht përfshijnë ethe, dhimbje koke, dhimbje muskujsh dhe shpine, zmadhim të gjëndrave limfatike, lodhje, skuqje të lëkurës që mund të shfaqet në fytyrë, duar, shputa, zonën gjenitale ose pjesë të tjera të trupi. Periudha e inkubacionit është nga 6 deri në 13 ditë, por mund të varioj nga 5 deri 21 ditë. Sëmundja zgjatë nga 2 deri në 4 javë dhe në shumicën e rasteve kalon vetvetiu, pa pasur nevojë për trajtim specifik. Megjithatë, tek personat me imunitet të dobët, fëmijët dhe gratë shtatëzëna, mund të zhvillohen komplikime më serioze", shkruan Danillovski në profilin e tij në Fejsbuk.
Sëmundja transmetohet përmes kontaktit të drejtëpërdrejtë me lezionet në lëkurë ose lëngjet trupore të një personi të infektuar, kontaktit të ngushtë fizik - përfshirë marrëdhëniet seksuale - kontakti me objekte të kontaminuara si rrobat, çarçafët apo enët, si dhe pika respiratore gjatë një kontakti të zgjatur ballë për ballë.
"E rëndësishme është të theksohet që nuk transmetohet lehtë. Nevojitet kontakt i afërt dhe i zgjatur", thotë doktor Danillovski,
Sipas tij, rreziku për epidemi është shumë i ulët. Për mbrojte personale, thekson se qytetarët duhet të mbajnë higjienë (larja e duarve me sapun dhe ujë), të shmangin kontaktin e ngushtë me persona që kanë simptoma dhe të mos ndajnë sende personale. Në rast të ndonjë skuqjeje të dyshimtë, duhet të konsultohet mjeku. Ai shton se lija e majmunëve nuk është kërcënim i ri apo i pakontrolluar. Situata kërkon informim dhe kujdes, por jo edhe panik.
Nga Instituti për Shëndet Publik (ISHP) dje informuan se nga Klinika e sëmundjeve të lëkurës u janë dërguar dy pacientë të dyshuar për Monkeypox - Lijën e majmunëve dhe njëkohësisht ishte kërkuar të bëhen analiza edhe për HIV, sifiliz dhe herpes.
"Instituti për Shëndet Publik realizoi ekzaminime laboratorike në tre mënyra të ndryshme, ku përmes tyre u konfirmuan laboratorikisht dy raste me Monkeypox - Lijën e majmunëve. Meqë për herë të parë në vendin tonë konfirmohen laboratorikisht Monkeypox - Lija e majmunëve, pas marrjes së rezultateve u reagua menjëherë, u morën masa përkatëse dhe u njoftuan institucionet kompetente: Ministria e Shëndetësisë, Klinika e Sëmundjeve të Lëkurës, Klinika Infektive dhe të tjerë”, deklaruan nga ISHP-ja.
Sipas protokollit, pas marrjes së njoftimit, mjeku që pranoi pacientët i informoi ata për rezultatet. Më pas u realizua një anketim epidemiologjik nga epidemiologët e ISHP-së.
“Epidemiologët e ISHP-së janë kthyer në punë dhe kanë nisur anketimin epidemiologjik të të dy personave, me qëllim mbledhjen e të dhënave të rëndësishme për veprimet e mëtejshme. Anketa është ende në vijim. Do të rekomandohet që pacientët pozitiv të paraqiten në Klinikën Infektive”, informuan nga ISHP-ja.
Instituti për Shëndet Publik njoftoi gjithashtu se do të vazhdojë të ndjekë situatën dhe theksoi se aktualisht nuk ka arsye për panik, pasi shpejtë dhe në kohë po merren masa nga institucionet përkatëse.
Nga ISHP-ja shtuan se janë mobilizuar të gjitha kapacitetet institucionale për tejkalimin e pasojave të kësaj situate dhe se janë ndërmarrë të gjitha masat parandaluese. Më shumë detaje për publikun nga Instituti priten gjatë ditës së sotme. qa/
Foto: FB e Dragan Danillovski