Ligji për arsim të lartë, Sulejmani: Jemi në fazën finale, garantojmë cilësi
- Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Driton Sulejmani duke folur për Ligjin për arsim të lartë tha se përmes saj sigurohet cilësi në arsimin e lartë, duke besuar njëherësh se një pjesë e konsiderueshme e sugjerimeve do të merren parasysh.
- Post By Fami Bajrami
- 09:20, 16 prill, 2026
Shkup, 16 prill 2026
Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Driton Sulejmani duke folur për Ligjin për arsim të lartë tha se përmes saj sigurohet cilësi në arsimin e lartë, duke besuar njëherësh se një pjesë e konsiderueshme e sugjerimeve do të merren parasysh.
Në emisionin “Click plus” në TV21, Sulejmani bëri të ditur se janë në fazën finale të punimeve, por që ka ende hapësirë për korrigjime.
Si koalicion VLEN, shton ai, kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm edhe me liderët e VLEN-it dhe deputetët, ndërsa është formuar një komision ku janë analizuar gjitha problematikat që janë shfaqur në publik.
“Jemi kyçur aktivisht me sugjerimet tona, kemi pasur biseda të vazhdueshme edhe me ministren Janevska, për disa çështje jemi marrë vesh, ende nuk është përmbyllur çështja e ligjit. Edhe versioni i dytë që është shfaqur në platformën ENER, nuk është final, jemi në fazën ku përmbyllim disa çështje dhe me të drejtë Universitetet i kanë ngritur si çështje problematike”, ka thënë ai.
Duhet cekur se jo të gjitha sugjerimet e Universiteteve do të pranohen, sepse siç shton Sulejmani, MASH ka politikat e saja arsimore, por gjitha sugjerimet që janë të arsyeshme, “MASH ka treguar mjaft kujdes që të njëjtat të mos hasen në vesh të shurdhër”.
“Qëllimi jonë është që me këtë ligj të garantojmë cilësi në arsimin e lartë. Ka ardhur koha që të intervenojmë me përmirësime në cilësinë e arsimit”, ka thënë zëvendësministri Sulejmani.
MASH duhet të ndërhyjë me reforma thelbësore edhe në arsimin fillor dhe të mesëm
Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Driton Sulejmani në emisionin “Click plus” në TV21 duke folur për arsimin e lartë tha se doemos duhet cekur se në vend kemi problem me sistemin arsimor.
Sipas tij, jo vetëm arsimi i lartë është në gjende të keqe, por dhe më keq janë arsimi fillor dhe ai i mesëm.
”Mendoj se është një zinxhir që duhet të intervenojmë në të tre sferat që arsimi të jap efektin në shoqëri”, ka thënë ai.
Shton se është koha e duhur për të intervenuar te ligji për arsimin e lartë, që më pas të bëhen intervenimet edhe në sferën e arsimit të mesëm dhe atij fillor.
“Sepse gjendjen arsimore nuk e kemi mirë dhe duhet të jemi shumë këmbëngulës në reformat që bëjmë që ato të jenë të mirëfillta, qëndrojmë pas asaj se Ligji për arsimin e lartë është një reformë e tillë, por jam i mendimit se MASH duhet të ndërhyjë me reforma thelbësore edhe në arsimin fillor dhe të mesëm dhe të krijojmë një sistem arsimor që më në fund të krijojë kuadro të cilët do jenë të gatshëm për tregun e punës””, ka nënvizuar Sulejmani.
VLEN