• e diel, 22 dhjetor 2024

Liga arabe bëri thirrje për vendosjen e forcave paqeruajtëse të KB-së në Gazë dhe Bregun Perëndimor

Liga arabe bëri thirrje për vendosjen e forcave paqeruajtëse të KB-së në Gazë dhe Bregun Perëndimor

Manama, 16 maj 2024 (MIA) - Liga arabe sot bëri thirrje për vendosjen e një misioni paqeruajtës të KB-së në Rripin e Gazës dhe Bregun Perëndimor, transmeton DPA.

Në Samitin e organizatës prej 22 anëtarësh, poashtu bëhet thirrje për armëpushim të menjëhershëm dhe dënohet ashpër përparimi i ushtrisë izraelite në qytetin jugor Rafah të mbushur me refugjatë.

Doemos të ndërmerren hapa të pakthyeshëm drejt zgjidhjes me dy shtete në Izrael dhe territoret palestineze, thuhet në deklaratën përfundimtare të samitit.

Takimi vjetor u mbajt për herë të parë në kryeqytetin e Bahreinit, Manama.

Princi saudit dhe de fakto sundimtar i mbretërisë, Mohamed bin Salman Al Saud, theksoi se duhet të ndalet "agresioni i ashpër" kundër "vëllezërve palestinezë". Sipas tij, është e nevojshme që bashkësia ndërkombëtare ta përmbushë këtë përgjegjësi.

Në fjalimin e tij, mbreti Hamad bin Isa Al Kalifa nga Bahreini bëri thirrje për konferencë ndërkombëtare paqësore për Lindjen e Mesme.

Sipas Sekretarit të përgjithshëm të Ligës arabe, Ahmed Abdul Geit, një diplomat nga Egjipti, samiti u mbajt në rrethana të pazakonta. Sipas tij, agresioni izraelit kundër popullit të Gazës paraqet një kthesë historike dhe popujt arabë nuk do ta harrojnë dhunën e verbër të okupimit izraelit.

Në samit mori pjesë edhe Sekretari i përgjithshëm i KB-së, Antonio Guteresh i cili u bëri thirrje sërish palëve në luftë në Gazë që të bien dakord për armëpushim dhe e përshkroi konfliktin si një "plagë të hapur" që kërcënon të infektojë mbarë rajonin. 

foto: skrinshot

 

QËNDRONI TË LIDHUR