• e hënë, 23 dhjetor 2024

Lidhja Europiane për Ndryshim: Stevo Pendarovski e përfundoi mandatin në mënyrën më të padëshiruar

Lidhja Europiane për Ndryshim: Stevo Pendarovski e përfundoi mandatin në mënyrën më të padëshiruar

Shkup, 19 dhjetor 2023  

Ashtu siç e dinë qytetarët, presidenti Pendarovski gjatë gjithë kohës e ka mbajtur veten si president i të gjithëve, por që realisht ka lënë shumë për të dëshiruar që ta meritojë këtë atribut.

E kemi dëgjuar presidentin Pendarovski të flasë shumë herë për vlera multietnike, por kur duhej të dëshmohej se beson vërtet në ato vlera, e dëshmoi të kundërtën. Ai reagoi ashpër kundër himnit e flamurit shqipar në tubimet e shqiptarëve, madje nuk hezitoi ta quajë shovinist një veprim të tillë, por nuk e dëgjuam askund të reagojë kundër ndonjë veprimi të vërtetë shovinist, siç ishin së fundi protestat dhe rezistenca për hapjen e paraleleve shqipe në Komunën e Çashkës. 

E dëgjuam të flasë me qindra herë kundër korrupsionit, por heshtja dhe mosinteresimi i tij për zgjerimin e listës së zezë me funksionarë nga Maqedonia e Veriut, aq më tepër dekreti i tij në ndryshimet e Kodit Penal, duke e amnistuar krimin dhe korrupsionin shtetëror, e bënë që më shumë t’i përngjasojë paraardhësit të tij sesa një presidenti që qëndron në ballë të luftës kundër korrupsionit. 

E dëgjuam të flasë për vlera demokratike dhe integrim, por nuk i'a dëgjuam zërin të thotë një fjalë për çështjen e anëtarit të opozitës në KSHZ, që është fundament për zgjedhje të lira dhe demokratike.  

Ai heshti edhe ndaj raportit skandaloz të progresit për RMV-në, si dhe ndaj kritikave të Komisionit Europian për keqpërdorim të flamurit të BE-së, që flet shumë për integrimin e vendit në BE.

Ai ka pasur plot fjalë për drejtësinë, por ka heshtur ndaj presionit që i bëhet Kryetares së Gjykatës Supreme. 

 Ajo që ai i detyrohet për shpjegim qytetarëve është se në zyrën e tij janë thurur planet për kthimin e Gruevskit dhe ai këtë e ka mbajtur të fshehur nga qytetarët.

Përveç kësaj, ai duhet ta shpjegojë edhe pozicionin e tij kundrejt mbështetjes së Aleksandar Vuçiqit në zgjedhjet në Serbi, që paraqet problem jashtëzakonisht të madh për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.

 Si përfundim mund të themi se, në fund të mandatit, presidenti Pendarovski ishte një president me deklarata mirë të ambalazhuara, por mbetet pa rezultate dhe i dështuar në praktikë.

Krejt kjo na bind se ai nuk e ka merituar ta dëgjojmë sot. Kjo është edhe një arsye të deklarohemi se Lidhja Europiane për Ndryshim do të kandidojë një kandidat të saj në zgjedhjet presidenciale, ndërsa ne e kemi të qartë se pse BDI-ja vazhdon të fshihet pas kandidatit të LSDM-së – ata e kanë të qartë se populli ka për t’i ndëshkuar bashkërisht në zgjedhje.

 Foto: LEN

Lidhja Europiane për Ndryshim
 

________________________________________________________________________

MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit.

 

QËNDRONI TË LIDHUR