Lideri i konservatorëve gjermanë dëshiron qeveri koalicioni me socialdemokratët
- – Fridrih Merc, lider i koalicionit të partive konservatore gjermane CDU dhe CSU, të cilët fituan më së shumti vota dje në zgjedhjet parlamentare, deklaroi sot se dëshiron të formojë qeveri koalicioni me Socialdemokratët (SPD), të cilët janë të tretët për nga numri i votave.
- Post By Fitore Curri
- 16:32, 24 shkurt, 2025

Berlin, 24 shkurt 2025 (MIA) – Fridrih Merc, lider i koalicionit të partive konservatore gjermane CDU dhe CSU, të cilët fituan më së shumti vota dje në zgjedhjet parlamentare, deklaroi sot se dëshiron të formojë qeveri koalicioni me Socialdemokratët (SPD), të cilët janë të tretët për nga numri i votave.
“Jam i bindur të kem bisedime të mira, të shpejta dhe konstruktive me socialdemokratët për formimin e qeverisë së koalicionit deri në Pashkë -20 prill”, tha Merc në selinë e partisë së tij Unioni Kristian – Demokratik (CDU) në Berlin.
Merc tha se fuqizimi i të djathtës ekstreme në zgjedhje është “paralajmërim përfundimtar” që partitë mesatare të vijnë në zgjidhje të përbashkëta.
Partia e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) e dyfishoi rezultatin e saj zgjedhor – prej 4,8 milionë vota në zgjedhjet e kaluara, në 10,3 milionë vota dje.
Merc, i cili sipas gjitha gjasave do të jetë kancelari i ardhshëm, tha se dëshiron të përgatitet për “skenarin më të keq” në marrëdhëniet transatlantike të mbrojtjes mes Evropës dhe SHBA-së, duke theksuar se administrata e presidentit amerikan Donald Tramp distancohet nga Evropa.
“Të gjitha sinjalet të cilat i marrim nga SHBA-ja tregojnë në atë se interesi për Evropën dukshëm po dobësohet”, tha lideri i konservatorëve, duke bërë të ditur se është e nevojshme “të përballemi me skenarin më të keq – ndërprerjen e lidhjeve”.
Merc shtoi se është e qartë se Evropa duhet shumë shpejt t’i zhvillojë kapacitetet në mbrojtje edhe se ai duhet të jetë prioritet absolut në javët e ardhshme.
Lideri i CDU tha se ende ka shpresë se do të mund ta bind administratën amerikane se ruajtja e marrëdhënieve të mira transatlantike është në interes të përbashkët. Ai shtoi se dëshiron të bëjë gjithçka që është e mundur që ta arrijë këtë. fc/
Fotografia: Arkivi i MIA-s