• e diel, 27 prill 2025
Shqip
  • English
  • Shqip
  • Македонски

Lideri i ASH-së, Sela u takua me presidentin shqiptar, Begaj në Tiranë

Lideri i ASH-së, Sela u takua me presidentin shqiptar, Begaj në Tiranë

Dibër, 7 prill 2025 (MIA) - Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela dhe sekretarja e përgjithshme e partisë, Ilire Dauti sot në Tiranë u takuan me presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj.

"Biseduam për shqetësimet e përbashkëta, për situatën e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe zhvillimet politike në vendet tona, në rajon dhe më gjërë", ka shkruar Sela në Fejsbuk.

Ai shtoi se kujdesi dhe interesimi i presidentit Begaj dhe shtetit shqiptar, për shqiptarët në RMV është një mbështetje e fuqishme dhe një motiv i fuqishëm për ne të vazhdojmë të punojmë në ruajtjen e arritjeve të deritanishme, kapërcimin e sfidave dhe të përparojmë edhe më tej.

"Roli i shqiptarëve në Ballkan është kyç për stabilitetin dhe progresin e rajonit, andaj bashkëveprimi ynë me shtetin amë dhe faktorin politik në trojet tona është jetik", thuhet në publikimin.

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, në rrugën e tij nëpër vendin tonë, për takimin e shefave të shteteve dhe qeverive të “Procesit Akaba Ballkan III”, të mbajtur më 5 prill në Sofje, në Shkup u takua me përfaqësues të partive politike të shqiptarëve, por jo edhe me Selën.

Gjatë rrugës për në Sofje, ai u takua me liderin e Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti, kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashi dhe me zëvendëskryeministrin, Arben Fetai.

Gjatë kthimit nga Sofja, ai u takua me ministrin e Shëndetësisë, Arben Taravari dhe Blerant Ramadanin, e menjëherë pastaj edhe me liderin e BDI-së, Ali Ahmeti dhe Bujar Osmanin. bsh/

Foto: Fejsbuk profili i Ziadin Selës

 

QËNDRONI TË LIDHUR