• e shtunë, 21 dhjetor 2024

LD: Vuçiqi në krah të Ali Ahmetit

LD: Vuçiqi në krah të Ali Ahmetit

Shkup, 11 shkurt 2024


Në një prononcim për mediat serbe nga Nju Jorku, kryetari serb, Vuçiq, ndër të tjera, tha se “synimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, është që ta mposhtë Ali Ahmetin dhe BDI-në”. Nuk është me rëndësi kjo gënjeshtër e kulluar e Vuçiqit, sa është i çuditshëm pozicionimi i tij në krah të Ali Ahmetit. Një gjë është e qartë, fushata kundër opozitës shqiptare në Maqedoninë e Veriut, tashmë po merr karakter ndërkombëtar dhe po bëhet objekt brengosës i protagonistëve kryesor të Open Ballkanit, të cilët në periudhën që do të pasojë do të jenë edhe më aktiv për ta mbajtur BDI-në e Artan Grubit në pushtet. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka bërë të qartë se nuk ka asgjë nga trillimet rreth pjesëmarrjes së partisë së tij në zgjedhjet parlamentare të Maqedonisë së Veriut. Në fakt, BDI tashmë është e frikësuar deri në palcë nga humbja që do t’i vijë me 8 maj, ndaj dhe nuk zgjedh mjete për të mbijetuar, po qoftë edhe përmes porosive indirekte për diskreditimin e Kurtit, i cili, është e pritshme të akuzohet edhe më shumë vetëm e vetëm pse ka mendim ndryshe për opozitën shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Tash shtrohet pyetja: po ky pozicionim i Vuçiqit në krah të Ali Ahmetit, a nuk është përzierje në punët e brendshme të Maqedonisë së Veriut?

Lëvizja Demokratike

________________________________________________________________________

MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit

QËNDRONI TË LIDHUR