Lavrovi: Situata rreth negociatave në Stamboll është intriguese, do të ketë bisedime të vështira
- Shefi i diplomacisë ruse Sergej Lavrov sot delaroi se situata rreth negociatave ukrainase-ruse në Stamboll është "intriguese", duke theksuar se askush nuk pret një proces të lehtë dhe duke kritikuar përsëri rolin e Perëndimit dhe autoriteteve në Kiev në përshkallëzimin e konfliktit.
- Post By Ajrije Rexhepi
- 16:15, 15 maj, 2025
Moskë, 15 maj 2025 (MIA) - Shefi i diplomacisë ruse Sergej Lavrov sot delaroi se situata rreth negociatave ukrainase-ruse në Stamboll është "intriguese", duke theksuar se askush nuk pret një proces të lehtë dhe duke kritikuar përsëri rolin e Perëndimit dhe autoriteteve në Kiev në përshkallëzimin e konfliktit.
"Gjithsesi, të gjithë tani po flasin për Ukrainën në lidhje me intrigën që momentalisht po "gatuhet" në Stamboll", tha Lavrovi në një takim të Klubit Diplomatik në Moskë, raportuan mediat ruse.
Ai shtoi se bisedimet do të jenë të vështira dhe kujtoi negociatat e pezulluara nga viti 2022, për të cilat fajësoi Britaninë e Madhe.
Lavrovi reagoi ashpër ndaj kërkesës së presidentit ukrainas Volodimir Zelenski për të marrë pjesë personalisht në bisedime, duke e quajtur Zelenskin një "njeri të mjerë" dhe duke thënë se ai po "manipulohet" nga aktorë të jashtëm.
Ai përsëriti pikëpamjet e tij paraprake se Kievi po udhëheq një politikë që nuk përfaqëson të gjitha pjesët e Ukrainës, veçanërisht ato me popullsi rusishtfolëse.
Përpara bisedimeve në Stamboll, Lavrovi u bëri thirrje vendeve perëndimore të "detyrojnë" autoritetet ukrainase të respektojnë Kushtetutën e tyre, ligjin ndërkombëtar dhe Kartën e KB-së.
Ai i etiketon britanikët si aktorë kryesorë të cilët, thotë ai, po e udhëheqin Zelenskin përmes "xhunglës së politikës botërore" dhe po pengojnë qetësimin e situatës.
Negociatat midis delegacioneve ruse dhe ukrainase ishin planifikuar të zhvilloheshin në zyrën e Presidentit turk Rexhep Taip Erdogan në qendër të Stambollit, në të njëjtin vend si në vitin 2022.
Delegacionin rus e kryeson ndihmësi i presidentit, Vladimir Medinski, dhe shoqërohet nga zëvendësministri i Punëve të Jashtme Mihail Galuzin, shefi i Administratës Kryesore të Shtabit të Përgjithshëm, Igor Kostjukov, dhe zëvendësministri i Mbrojtjes Aleksandar Fomin.
Presidenti rus Vladimir Putini ka propozuar që bisedimet të vazhdojnë pa parakushte, ndërsa zëdhënësi i Kremlinit Dmitri Peskovi tha se qëllimi i Rusisë është të arrijë një zgjidhje paqësore afatgjatë dhe të mbrojë interesat kombëtare.
Foto: Arkivi i MIA-s