• e hënë, 23 dhjetor 2024

Lavrov me mesazh se perspektivat e OSBE-së janë të paqarta, disa nga delegacionet u larguan në mes të fjalimit

Lavrov me mesazh se perspektivat e OSBE-së janë të paqarta, disa nga delegacionet u larguan në mes të fjalimit

Shkup, 30 nëntor 2023 (MIA) - Shefi i diplomacisë ruse, Sergej Lavrov, sot në Shkup, në fjalimin e tij në Takimin e 30-të Ministror të OSBE-së, deklaroi se ajo që po ndodh aktualisht në Organizatë nuk është mënyra e duhur për të trajtuar çështjet e sigurisë evropiane. Ai theksoi para pjesëmarrësve të Këshillit të Ministrave se kryeqytetet perëndimore po veprojnë në atë mënyrë që të minojnë punën e OSBE-së.

"Ndarjet e kontinentit minojnë sigurinë e krijuar nga OSBE-ja dhe idenë e virtytshme mbi të cilën mbështetet procesi i Helsinkit", tha Lavrov.

Ai tha se tradicionalisht këto takime përfundojnë me mesazhe pozitive dhe inkurajuese, por sipas tij aktualisht nuk ka vend për optimizëm. Sipas ministrit të Jashtëm rus, OSBE-ja është shndërruar në një organizatë që i shërben interesave të NATO-s dhe BE-së dhe lind pyetja nëse është i mençur rigjallërimi i saj.

Sipas Lavrovit, zhvillimet aktuale vënë në pikëpyetje funksionimin e OSBE-së si forum për zgjidhje objektive të problemeve globale dhe cenojnë parimin e të drejtave të barabarta për të gjithë pjesëmarrësit.

Në fjalimin e tij të gjatë në takimin ministror, ​​Lavrov tha se tani ka më shumë pyetje sesa përgjigje dhe se aktualisht nuk ka ekuilibër interesash në nivel global, por theksoi se jeta në ndërkohë nuk ndalet.

Ai iu referua disa zhvillimeve në të kaluarën, duke theksuar se vendet e NATO-s dhe BE-së shkatërruan dimensionin ushtarako-politik të OSBE-së. Ai ka theksuar se në vitin 1999 NATO ka kryer një agresion brutal ndaj Jugosllavisë, anëtare e OSBE-së dhe ka përmendur, siç tha ai, marrjen e Kosovës nga Serbia dhe shkeljen e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

"Në këtë aspekt, mund të themi me keqardhje se OSBE-ja e mirëpret këtë përvjetor në një gjendje të dhimbshme dhe perspektivat e saj janë të paqarta", tha ministri rus, duke iu referuar 50-vjetorit të Organizatës.

Lavrov foli edhe për çështje të tjera që prekin Rusinë, për të cilat tha se janë të nxitura nga politika perëndimore, Gjeorgjia, Osetia Jugore, Transnistria, Moldavia, Donbasi, Ukraina, si dhe përmendi sanksionet e vendosura nga Perëndimi ndaj Rusisë, të cilat u shënuan si një përpjekje për të shkatërruar ekonominë ruse.

Sipas Lavrovit, Moldavia është viktima e radhës në luftën hibride të Perëndimit kundër Rusisë.

Ministri rus i Punëve të Jashtme menjëherë pas përfundimit të fjalimit u largua nga salla ku u mbajt takimi. Fjalimi i tij u bojkotua nga disa delegacione, të cilët u ngritën dhe u larguan nga salla e konferencave menjëherë pasi kryesuesi i OSBE-së, Bujar Osmani, kumtoi fjalimin e shefit të diplomacisë ruse.

Në margjinat e takimit ministror të OSBE-së në Shkup, Lavrov pati takime dypalëshe me shefat e diplomacisë së Armenisë dhe Hungarisë, Ararat Mirzojan dhe Peter Sijaro. Sergej Lavrov pati një takim edhe me shefin e diplomacisë austriake, Aleksander Shallenberg.

Përfaqësuesja zyrtare e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë Maria Zaharova njoftoi në rrjetin social Telegram se në tavolinat në sallën e takimeve të Këshillit të Ministrave të Punëve të Jashtme të OSBE-së ka një manifestim të qartë të asaj për të cilën ka folur Sergej Lavrov në fjalimin e tij: nën presionin e SHBA-së, logjika e OSBE-së po zëvendësohet me ideologjinë agresive të NATO-s. sa/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR