• e hënë, 23 dhjetor 2024

Lavrov: Aeroplanët F-16 i vlerësojmë si kërcënim bërthamor

Lavrov: Aeroplanët F-16 i vlerësojmë si kërcënim bërthamor

Moskë, 13 korrik 2023 (MIA) - Shefi i diplomacisë ruse, Sergej Lavrov sot deklaroi se dërgimi i aeroplanëve luftarakë F-16 Ukrainës për Moskën nënkupton kërcënim bërthamor. 

"Vetë faktin se forcat e armatosura ukrainase kanë sisteme të tilla do ta vlerësojmë si kërcënim nga Perëndimi në kuptim bërthamor. Rusia nuk mund ta injorojë aftësinë e atyre aeroplanëve që të mbajnë koka bërthamore", deklaroi Lavrovi në intervistë për gazetën onllajn Lenta.ru.

Ai shtoi se Moska i ka paralajmëruar SHBA-në, Britaninë e Madhe dhe Francën për këtë. 

"SHBA-ja dhe satelitët e saj në NATO krijojnë rreziqe nga konflikti i drejtpërdrejtë i armatosur me Rusinë, ndërsa kjo mund të ketë pasoja katastrofale", paralajmëroi Lavrovi. 

SHBA-ja në maj miratoi dërgimin e aeroplanëve F-16 në Kiev. Data e dërgimit dhe numri i tyre ende nuk janë konfirmuar. Ukraina javën e kaluar bëri të ditur se do të formohet "koalicion" nga 11 vende të cilët do t'i trajnojnë pilotët e saj për aeroplanët. 

Doktrina bërthamore ruse parasheh përdorim të "rreptë në mbrojtje" të armës atomike në rast të sulmit ndaj Rusisë me armë për shkatërrim masiv ose sulm me armë konvencionale "që e rrezikon vetë mbijetesën e shtetit". fc/

Fotografia: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR