Latifi: SHA MEPSO është garanci për stabilitetin e sistemit elektrotrasmetues
- Sistemi transmetues për momentin është në gjendje stabile, ndërsa SHA MEPSO është garanci për këtë, vlerësoi sot drejtori i përgjithshëm i kompanisë, Burim Latifi.
- Post By Fami Bajrami
- 13:08, 28 prill, 2025
Shkup, 28 prill 2025 (MIA) - Sistemi transmetues për momentin është në gjendje stabile, ndërsa SHA MEPSO është garanci për këtë, vlerësoi sot drejtori i përgjithshëm i kompanisë, Burim Latifi.
Gjatë Pashkëve, shtoi, ka pasur sfida dhe për këtë arsye janë ndërmarrë masa për shkyçjen e prodhuesve të energjisë elektrike nga sistemi, por mund të themi se po bëjmë çdo përpjekje që sistemi të stabilizohet dhe të mos ketë probleme në tërë rrjetin.
"Ne jemi përballuar me situatën e hasur. Një nga masat që kemi ndërmarrë është rritja e pjesës fikse të garancisë bankare për tregtarët, duke marrë parasysh edhe çmimet e energjisë elektrike në bursat europiane. Në nivel afatgjatë besojmë se shuma e deklaruar e pjesës fikse nga garancia bankare është e mjaftueshme", theksoi Latifi në përgjigje të pyetjes në konferencën e sotme për shtyp në Qeveri.
Paraprakisht, një pjesë e tregtarëve kanë pasur borxhe ndaj MEPSO-s prej rreth 10 milionë euro, ndërsa për momentin, siç tha, borxhi arrin rreth 7,2 milionë euro.
SHA MEPSO në vazhdimësi realizon aktivitete për pagesat e kërkesave të papaguara në para nga ndërmarrjet tregtare me energji elektrike, të cilat gjatë krizës energjetike krijuan disbalanc në sistemin e energjisë elektrike dhe angazhuan ndjeshëm rezervat e sistemit të kompanisë. Një pjesë e kompanive me të cilat është nënshkruar marrëveshja për riprogramimin e faturave të mbetura, të papaguara, vazhdimisht i paguajnë faturat e tyre aktuale dhe këstet e borxhit të riprogramuar me normë interesi. Të tjerët kanë paguar plotësisht borxhet e tyre, ndërsa për pjesën tjetër janë marrë të gjitha masat ligjore të arkëtimit, gjegjësisht janë nisur procedurat e duhura përmbarimore dhe procedurat e bazuara në urdhërpagesë noteriale. Për momentin borxhet arrijnë 7,2 milionë euro", potencoi Latifi.
Menaxhmenti i ri i SHA MEPSO është garanci, siç tha, se nuk do të përsëriten dukuritë me keqpërorimet e marrëveshjeve menaxheriale.
"Menaxhmenti ndërmori hapa seriozë për të korrigjuar situatën. Në mënyrë profesionale dhe më të përkushtuar që nga dita e parë, e deri në ditën e fundit do ta kryejmë punën tonë dhe incidente të tilla nuk do të ndodhin më", premtoi Latifi. rq/bsh/
Foto: Printskrin