• e hënë, 23 dhjetor 2024

Lajçak: Vuçiqi dhe Kurti kanë mandat për marrjen e vendimeve të rëndësishme

Lajçak: Vuçiqi dhe Kurti kanë mandat për marrjen e vendimeve të rëndësishme

Beograd, 4 maj 2024 (MIA) - I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, Mirosllav Lajçak deklaroi se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kanë mandat për marrjen e vendimeve të rëndësishme në kuadër të dialogut që e udhëheqin, informon korrespondenti i MIA-s nga Beogradi.

"Vuçiq dhe Kurti kanë mandate për të marrë vendime të rëndësishme... BE-ja ka bërë gjithçka që ka mundur, por ne nuk mund të dëshirojmë normalizim më shumë se Kosova dhe Serbia", tha Lajçak në intervistën për gazetën "Nova", duke shtuar se një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht është marrëveshje obligative dhe qëllimi i dialogut është kyç për hyrjen në BE.

"Dëshira ime ishte që të shkoj deri në fund dhe të përfundojmë procesin me një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme për normalizimin. Kjo nuk ishte e mundur, por dua të nënvizoj se kemi bërë një rrugë të gjatë", tha Lajçak i cili më 31 gusht përfundon mandatin si i dërguar special i BE-së për dialogun.

Lajçak tha se arritja e marrëveshjes përfundimtare varet nga Beogradi dhe Prishtina.

"Procesi është pronë e tyre dhe ne po flasim për të ardhmen e tyre. Dhe të dyja palët e kanë integrimin evropian si prioritet strategjik dhe përparimi i normalizimit të marrëdhënieve të tyre është thelbësore për përparimin drejt BE-së, tha ai dhe shtoi se si Serbia ashtu edhe Kosova e dinë se duhet të arrijnë marrëveshje për normalizim gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshëm.

Sipas tij, Kosova dhe Serbia patjetër të bëjnë përpjekje shtesë dhe ta çojnë procesin deri në fund.

"Ne mund të këshillojmë, sugjerojmë dhe ndihmojmë në çdo hap drejt rrugës dhe atë e bëjmë. Megjithatë, në fund, të dyja palët janë ato që duhet të normalizojnë marrëdhëniet e tyre", shtoi Lajçak.

Sipas tij përgjegjësitë e të dyja palëve janë të qarta.

"Kosova që të fillojë procedurën për themelimin e komunave serbe dhe të pranojë draft statutin evropian dhe i takon Serbisë të përmbushë obligimet e saja të shumta paralelisht duke filluar me njohjen e simboleve të Kosovës, dokumentet dhe institucionet, që është paraparë në planin e hapave për zbatimin e marrëveshjes", tha ai.

Sipas tij, të dy palët dhe konstruktiviteti i tyre do të matet vetëm në bazë të progresit dhe jo në bazë të veprimeve apo deklaratave publike të palës tjetër.

"Topi është në terrenin e Serbisë dhe Kosovës dhe presim që ata të fillojnë të përmbushin marrëveshjen", shtoi Lajçak.

Ai tha se dëshira e tij është që Ballkani Perëndimor të ketë sukses dhe më në fund të bëhet pjesë e BE-së, sepse rajoni e ka vendin atje - gjeografikisht, ekonomikisht, kulturalisht. rq/

Foto: arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR