• e hënë, 23 dhjetor 2024

Lajçak: Të enjten do të vazhdojnë bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit, shpresoj në tejkalimin e dallimeve

Lajçak: Të enjten do të vazhdojnë bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit, shpresoj në tejkalimin e dallimeve

Beograd, 1 prill 2024 (MIA) - I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, Miroslav Lajçak, sot konfirmoi se të enjten më 4 prill në Bruksel do të vazhdojnë bisedimet në kuadër të dialogut për vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës për shfuqizimin e dinarit dhe shpreson se do të tejkalohen “dallimet e mbetura”, bën të ditur korrespondenti i MIA-s nga Beogradi. 

“Të dyja palët do të kthehen në Bruksel këtë javë dhe shpresoj se të enjten do të jemi në gjendje të kapërcejmë diferencën e ngelur”, tha Lajçak në një mesazh në Fejsbuk.

Duke përmbledhur javën e kaluar, ai vlerësoi se takimi i mëparshëm i negociatorëve kryesorë të Prishtinës dhe Beogradit, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq më 25 mars, ka qenë konstruktiv dhe se është konstatuar se nevojitet një takim tjetër.

"Në përgjithësi, ishte një takim i dobishëm. Të dyja palët patën mundësinë të shpjegojnë idetë dhe qëndrimet e tyre. Në fund konkluduam se do të ishte i nevojshëm një takim tjetër", tha Lajçak.

Në postimin në Fejsbuk duke u uruar Pashkët të gjithë atyre që festojnë sipas kalendarit Gregorian, ai e përmblodhi javën para festës së Pashkëve si "të shkurtër por intensive", dhe kujtoi se të hënën e kaluar u takua me Bislimin dhe Petkoviqin në Bruksel për të vazhduar diskutimet për gjetjen e "një zgjidhje të qëndrueshme për njerëzit e prekur nga vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës".

Më 25 mars, Lajçak njoftoi se kryenegociatorët e Prishtinës dhe Beogradit paraqitën në Bruksel propozimet e tyre në lidhje me ndalimin e BQK-së për qarkullimin e dinarit në Kosovë dhe se bisedimet ndihmuan në "qartësimin e detajeve të rëndësishme". qa/

 

QËNDRONI TË LIDHUR