• e hënë, 23 dhjetor 2024

Lajçak nga Beogradi: Për Serbinë dhe Kosovën nuk ka të ardhme evropiane pa implementimin e marrëveshjes

Lajçak nga Beogradi: Për Serbinë dhe Kosovën nuk ka të ardhme evropiane pa implementimin e marrëveshjes

Beograd, 21 tetor 2023 (MIA) - Pas dështimit të dialogut të fundit në Bruksel mes Beogradit dhe Prishtinës dhe pas sulmit të armatosur në Banjskë në veri të Kosovës, pesëshja e madhe e udhëhequr nga i dërguari special i BE-së për dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, Mirosllav Lajçak sot pas Prishtinës kanë udhëtuar për në Beograd për takim me presidentin serb Aleksandar Vuçiq në përpjekje për vazhdimin e dialogut për të ulur tensionet në rritje ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, njofton korrespondenti i MIA-s nga Beogradi.

Në delegacionin e kryesuar nga Lajçaku janë edhe zëvendësndihmës sekretari amerikan i shtetit dhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor Gabriel Eskobar, këshilltarët për politikë të jashtme dhe të sigurisë të presidentit të Francës dhe kancelarit gjerman, Emanuel Bon dhe Jens Pletner dhe këshilltari diplomatik i kryeministrit të Italisë, Franesko Tala.

"Shprehëm shqetësimin për zhvillimet negative në procesin e normalizimit që lidhet drejtpërdrejtë me rrugën e Serbisë dhe Kosovës drejt BE-së", tha Lajçak duke theksuar se qëllimi i vizitës së "pesëshes së madhe" është të shihet se si të arrihet progres konkret në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, si dhe deeskalimit të situatës në Kosovë.

“Dëshirojmë të bëjmë të qartë se dënojmë fuqishëm sulmin ndaj policisë së Kosovës më 24 shtator. Të gjithë autorët e sulmit duhet të nxirren para drejtësisë dhe presim bashkëpunim të plotë të Serbisë në këtë drejtim", tha Lajçak.

Ai shtoi se liderët kanë përgjegjësi ndaj qytetarëve të tyre dhe se edhe Beogradi dhe Prishtina duhet të punojnë në de-përshkallëzimin dhe normalizimin e marrëdhënieve.

"Kjo vizitë do të ndikojë drejtpërdrejt në ato bisedime. Siç e kemi thënë shumë herë, nuk ka të ardhme evropiane as për Serbinë, as për Kosovën pa normalizimin e marrëdhënieve të tyre dhe implementimin e marrëveshjeve të miratuara për normalizim, të tashmet dhe mëparshmet. Duam të shohim rajon stabil, prosperues dhe evropian në Ballkanin Perëndimor dhe prandaj dialogu është i një rëndësie vendimtare. Biseda jonë me presidentin Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës Albin Kurti do të vazhdojë edhe në ditët në vijim", nënvizoi Lajçak.

 

QËNDRONI TË LIDHUR