• e hënë, 23 dhjetor 2024

Lëvizja Demokratike angazhohet për heqjen e plotë të kazinove në vend

Lëvizja Demokratike angazhohet për heqjen e plotë të kazinove në vend

Shkup, 20 tetor 2023 (MIA) - Kryetari i Lëvizjes Demokratike (LD), Izet Mexhiti sot pas panel diskutimit me temë "Ndikimi negativ i kazinove dhe lojërave të fatit në familje dhe përballja me këtë fenomen devijant”, deklaroi se ata janë pro heqjes së plotë të kazinove në vend. 

"Përmes debatit publik për kazinotë dhe kreditë e shpejta dalin përfundime interesante se si të parandalohen këto devijime dhe pasojat e tyre, siç janë dhuna në familje, divorcet, humbje të pasurisë e të tjera. Kjo më shumë na bind që të kërkojmë mbylljen e plotë të kazinove", tha Mexhiti.

Me vite po flitet se kazinotë duhet të zhvendosen 500 metra larg shkollave dhe kopshteve dhe siç tha Mexhiti, Ministria e Financave vazhdimisht jep licenca për rrjetet e reja të kazinove, hap tenderë të rinj për blerjen e pajisjeve të kazinove dhe miraton shoqëritë financiare që japin kredi të shpejta.

"Këto ditë ishim dëshmitarë të një teatri në Komisionin për çështje evropiane i udhëhequr nga Ademi, ku flasin se si duhet të vendosen kazinotë 500 metra larg shkollave dhe kopshteve, ndërsa në thelb u japin licenca zinxhirëve të rinj të kazinove dhe atë pikërisht Departamenti i kryesuar nga BDI-ja, nga ish bashkëpunëtorët e mi, licencat e të cilit lëshohen nga Ministri i Financave. Drejtori i lotarisë hap çdo ditë tenderë të rinj për blerjen e pajisjeve të kazinove. Gjithashtu për fat të keq këtu përfshihen edhe kreditë e shpejta të cilat janë legalizimi i fajdexhinjve, kjo nuk shkon përmes standardeve të Bankës Popullore për shkak se ka kritere të rrepta, por drejtpërdrejtë me pëlqimin e ministrit të Financave", deklaroi Mexhiti pas panelit të sotëm.

E mbështesim Ligjin për dislokim të kazinove, shton Mexhiti, por megjithatë licencat jepen ende për kazinotë onlajn. Ai theksoi se e mbështet edhe propozimin e Aleancës për Shqiptarët i cili parasheh që kazino të ketë vetëm në hotele me pesë yje, por siç tham Lëvizja Demokratike angazhohet për heqjen e plotë të kazinove në vend. qa/

Foto: MIA

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR