• e premte, 20 dhjetor 2024

Lëvizja BESA: Vetëm BDI-së dhe ASH-së nuk i pengon 20 përqindëshi për gjuhën shqipe

Lëvizja BESA: Vetëm BDI-së dhe ASH-së nuk i pengon 20 përqindëshi për gjuhën shqipe

Shkup, 19 korrik 2023

Derisa pushteti në të cilin janë BDI dhe ASH flasin për vlera evropiane, ata shkelin të drejtat e njeriut në Maqedoninë e Veriut të garantuara nga Konventat evropiane.

Derisa BDI përpiqet që me gjithë energjinë e saj të fus bullgarët në Kushtetutë, vlerëson se është e panevojshme që gjuha shqipe të jetë pjesë e Kushtetutës dhe të mos quhet si 20%.

Madje ajo që është edhe më tragjike, sipas deputetit dhe koordinatorit të BDI-së, Arbër Ademi, kush tenton të heq 20% dhe të vendos gjuhën shqipe në Kushtetutën e RMV-së, qënka i afërt me Rusinë. Me vetëdije apo pa vetëdije Arbër Ademi dëshiron të na shes mjegull se gjoja, BE qënka kundër gjuhës shqipe në Kushtetutë, e ky veprimi i opozitës shqiptare qënka anti evropian.

Këto bindje dhe mendime mund ti shpërndajnë vetëm politikan që nuk kanë ndjenja kombëtare dhe i kanë harruar vlerat dhe kulturën e popullit të tyre. Politikanë që për interesa personal dhe partiak kanë harruar se nga cilët qytetar e kanë marrë votën, çfar gjuhe flasin dhe çfarë janë.

Kjo dëshmon se BDI-së dhe partnerit të tyre shqiptar në Qeveri, nuk u intereson as gjuha shqipe dhe as qytetarët shqiptarë, por vetëm tenderët dhe pasurimi i tyre personal, për çka po shesin gjithçka, madje edhe gjuhën shqipe vetëm për të plotësuar apetitet e atyre që janë kundër gjuhës shqipe.

E pyesim Arbër Ademin, pse BDI, njejtë si Levica është kundër gjuhës shqipe?

Cili nga liderët dhe diplomatët e BE-së ka deklaruar se gjuha shqipe nuk duhet të jetë në Kushtetutën e RMV-së?

A është BDI, Rusia dhe Levica kundër gjuhës shqipe, apo BE dhe SHBA?

Me çfarë do të dalin në zgjedhjet e ardhshme të kërkojnë votën e shqiptarëve, me vendosjen e bullgarëve në kushtetutë dhe neglizhencën e gjuhës shqipe për më shumë se tre dekada?

Dhe i rikujtojmë BDI-së dhe partnerëve të tyre se gjuha shqipe është e pranuar nga të gjitha vendet evropiane e më gjërë si gjuha më e vjetër në Evropë, ndërsa populli shqiptarë është partneri më besnik i BE-së dhe SHBA-së.

Andaj, mos i plotësoni dëshirën qarqeve proruse e proserbe në vend, por mbështetni propozimin e Lëvizjes BESA që gjuha shqipe të njihet si gjuhë e shqiptarëve në Kushtetutë e jo si gjuhë e 20%.

Lëvizja BESA

__________________________________________________________________________________________________________________

MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit. 

Fotografia: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR