• e hënë, 06 janar 2025

Lëshohet në përdorim rruga e shpejtë Kriva Pallankë - Stracin, shkurtohet koha e udhëtimit në pjesën verilindore të vendit

Lëshohet në përdorim rruga e shpejtë  Kriva Pallankë - Stracin, shkurtohet koha e udhëtimit në pjesën verilindore të vendit

 Kumanovë, 4 janar 2025 (MIA) - Qytetarët nga sot  e përdorin rrugën e shpejtë Kriva Pallankë-Dllaboçicë-Stracin. Rruga, e cila është në një gjatësi prej 25.5 kilometra, sot solemnisht e lëshuan në përdorim  kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski, zëvendësshefi i delegacionit të BE-së, Ben Nupnau, ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Aleksandar Nikollovski dhe drejtori i NPRRSH-së, Koce Trajanovski.

Seksioni A2, është në një vlerë prej 107 milionë euro fonde të siguruara nga Banka Botërore dhe grant fonde. Rruga ka dy korsi qarkullimi  nga tre metra e gjysmë dhe dy korsi për ndalim prej 2.5 metra, janë ndërtuar  tre kryqëzime, 13 viadukte dhe nëntë mbikalime, si dhe 44 pjerrësi. Me ndërtimin e rrugës shkurtohet ndjeshëm koha e udhëtimit në drejtim të Bullgarisë. 

 Kryeministri Mickoski në fjalimin e tij  tha se rruga nuk është as e VMRO-DPMNE-në e as e LSDM-në, por e qytetarëve.

 

 "Edhe pse, duhet të them se sot ka pasur të tillë të cilët tentuan të bëjnë promovim politik se ata kur kanë qenë në Qeveri e kanë filluar këtë aks rrugor, fatkeqësisht u është dashur gjashtë vjet dhe për shkak të bllokadave të VMRO-DPMNE-së nuk aritën ta bëjnë edhe pse nuk e di  çfarë i bllokoi VMRO-DPMNE të vendosin të paktën një centimetër katror asfalt dhe në vend që t'u kërkonin falje qytetarëve që nuk arritën në gjashtë vitet e fundit ta bëjnë atë,  ata sot vrapuan  për të mbledhur pikë politike. Dua t'u them qytetarëve që do ta shfrytëzojnë këtë rrugë, kjo nuk është rruga as e LSDM-së, as e VMRO-DPMNE-së dhe as e ndonjë opsioni tjetër politik. Kjo është rruga e qytetarëve dhe kjo është rruga që do të mbetet për qytetarët dhe janë ata që do ta përdorin. Kredia e marrë nga institucionet financiare do të kthehet nga paratë e qytetarëve, prandaj askush nuk ka të drejtë ta përvetësojë, askush nuk ka të drejtë të thotë se kjo është rruga e tij, kjo është rruga juaj, e qytetarëve dhe shfrytëzojeni për veten tuaj", tha kryeministri.

 Në fjalimin para të pranishmive, ai  theksoi se së shpejti do të vihen në përdorim edhe seksionet tjera, së shpejti seksioni nga korridori 10d, si dhe nga korridori 8 dhe 10 - nga Gostivari deri në Bukojçan, Kërçovë deri  në Ohër, nga Prilepi deri  në Manastir dhe të tjera.

Kryetari i Qeverisë  theksoi se do të ndërtohet gjithandej në shte, në të gjitha pjesët nga veriu në jug dhe nga lindja në perëndim, duke shtuar se "nuk ka hapësirë për improvizim dhe  duhet të plotësohet gjithçka që është lënë jashtë në shtatë vitet e fundit, për të justifikuar besimin që qytetarët dhanë në zgjedhjet  paraprake parlamentare dhe presidenciale". 

 

Siç tha ai në fjalim, të dhënat e Bankës Popullore tregojnë se tejkalohet shifra prej një miliardë euro të investimeve të huaja direkte, sërish ekonomia po rikthehet, rritje tre për qind në tremujorin e tretë dhe mundësi për katër për qind në tremujori i katërt. Ai kujtoi edhe kreditë e lira për operatorët ekonomikë që nisin nga janari me interes preferencial 1,95% deri në 3 vjet grejs periudhë dhe deri në 15 vjet afat shlyerjeje.

 Ministri i Transportit dhe zëvendëskryeministër Aleksandar Nikolloski vlerësoi se rruga është arterie vitale për lidhje me Bullgarinë dhe dëshiroi që të zhvillohen kapacitete të reja industriale dhe të ringjallet pjesa lindore të shtetit.

 

"Ne kemi një lokacion unik, dy korridore pan-evropiane kalojnë në Maqedoni, korridori 8 dhe 10, dhe duhet t'i shfrytëzojmë, vendi duhet të bëhet udhëkryq, udhëkryq energjetik dhe transportues dhe në atë mënyrë ne mund të rritemi dhe ndërtojmë ekonomia dhe prosperiteti për njerëzit le të qëndrojnë këtu", tha Nikollovski.

 Drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Koce Trajanovski, në lëshimin  zyrtar tha se realizimi i këtij projekti është rezultat i punës ekipore dhe të koordinuar, e jo rezultat i vetëm një subjekti.

 "Në korrik të vitit 2024 kur u zgjodha drejtor i NPRRSH-së në seksionin e parë  nuk ishte vendosur asnjë centimetër asfalt, ndërsa sot mburren se kanë mbetur vetëm punimet e përfundimit. Gjërat ishin jashtëzakonisht të ngadalta. Kur u bëra drejtor i NPRRSH-së për mua  ishte sfidë dhe për këtë vendosa t'i përkushtohem plotësisht këtij projekti dhe vendosa që ta përfundoj deri në fund të vitit 2024, u vonuam vetëm tre ditë", tha Trajanovski. 

 

 Ai theksoi se është planifikuar edhe projektimi i një rruge të re të shpejtë nga Kumanova deri në Stracin dhe ndërtimi i kryqëzimit afër Ginovcit.

 Zëvendësshefi i delegacionit të BE-së, Ben Nupnau, tha se rruga e shpejtë është pjesë e Korridorit 8 Pan-Evropian që lidh detin Adriatik me Detin e Zi, duke theksuar se Korridori 8 është një urë strategjike midis lindjes dhe perëndimit që lidhë Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë. Korridori, theksoi përfaqësuesi i BE-së, përfaqëson bashkëpunimin rajonal dhe përkushtimin e përbashkët për integrim në BE, rrit mundësinë e investimeve të reja, mundëson tregti më të mirë dhe qasje më të mirë në tregjet evropiane dhe botërore, përmirëson konkurrencën e vendit në botë, kontribuon ndaj zhvillimit.

 

Infrastruktura, ndërkaq, shtoi ai, i mundëson vendit të bëhet një qendër kryesore tranziti në Evropën Juglindore, duke tërhequr investime të huaja, duke inkurajuar turizmin dhe duke lehtësuar tregtinë rajonale.

 "BE është krenare që qëndron pranë Maqedonisë së Veriut si një partner i sigurt  drejt integrimit dhe zhvillimit rajonal. Me një grant prej 13.9 milionë euro nga BE-ja, ky projekt është pjesë e planit të investimeve ekonomike për Ballkanin Perëndimor. Kjo rrugë nuk është vetëm një simbol i lidhjes, është një simbol i përkushtimit  tonë për të ndërtuar një Evropë më të fortë dhe më të bashkuar", tha Nupnau.

Qeveria dje njoftoi se vlera e përgjithshme e investimit për ndërtimin e rrugës së shpejtë është 93.7 milionë euro, prej të cilave 80.2 milionë euro janë financuar me mjete nga Banka Botërore dhe me grante prej 13.5 milionë euro. 

Foto: Qeveria 


 

 

QËNDRONI TË LIDHUR