• e premte, 05 dhjetor 2025

Lëshohet në mjekim shtëpiak mjeku Shaini, i cili dje ishte plagosur në Kumanovë

Lëshohet në mjekim shtëpiak mjeku Shaini, i cili dje ishte plagosur në Kumanovë

Shkup, 8 tetor 2025 (MIA) – Mjeku Zekiria Shaini, i cili dje ishte plagosur gjatë incidentit të armatosur në qendër të Kumanovës, sot është lëshuar në mjekim shtëpiak nga Klinika Universitare për Kirurgji Plastike dhe Rindërtuese në Shkup. 

Drejtoresha e Klinikës Universitare për Kirurgji Plastike dhe Rindërtuese
Jasmina, Gjorgjievska Pavllovska për MIA-n konfirmoi se pacienti ishte ndjerë mirë. 

“Pacienti është në gjendje të mirë të përgjithshme. Pas sanimit të plagëve është lëshuar në mjekim shtëpiak”, deklaroi Gjorgjievska Pavllovska. 

Ministria e Shëndetësisë dje pasdite përmes një kumtese reagoi se me shqetësim e kishin pranuar lajmin për sulmin e armatosur në Kumanovë me çka ishte plagosur një koleg i tyre, mjeku Shaini. 

“E informojmë publikun se lëndimet nuk janë kërcënuese për jetën dhe se mjeku është në gjendje të qëndrueshme dhe është duke u rikuperuar. Mjekut do t'i ofrohet mbështetje e plotë gjatë shërimit dhe rehabilitimit të tij. Ministria dënon kategorikisht çdo dhunë ndaj punonjësve të kujdesit shëndetësor dhe konfirmon se siguria e tyre është përparësi. Ne do të punojmë për të përmirësuar masat për mbrojtjen e personelit të kujdesit shëndetësor, përmes bashkëpunimit me institucionet e kujdesit shëndetësor dhe autoritetet lokale”, potencuan dje nga Ministria e Shëndetësisë.

Njëherësh ishte theksuar se në mënyrë aktive do të bashkëpunohet me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe autoritetet lokale në Kumanovë, me qëllim zbardhjen e plotë të rastit. 

Mjeku Shaini, sipas kumtesës nga MPB, u plagos dje në një incident me armë zjarri që ndodhi në orën 13:54 në udhëkryqin e rrugëve ‘Dimitrije Tucović’ dhe ‘11 Tetori’ në qendër të Kumanovës, kur dy persona në lëvizje hapën zjarr ndaj automjetit të udhëtarëve ‘folksvagen golf" që ai drejtonte. Ai u dërgua fillimisht në Spitalin e Përgjithshëm të Kumanovës për ekzaminime mjekësore, pas çka u transferua në klinikat e Shkupit. fc/

Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR