Lëshime në punën e Agjencisë për menaxhimin e pronës së konfiskuar, konstaton revizioni
- Deponim joadekuat i objekteve të sekuestruara të cilat janë në dispozicion të Agjencisë për menaxhimin e pronës së sekuestruar dhe mungesës së transparencës në shitjen e pasurisë së patundshme, gjësendeve të sekuestruara dhe pasurisë së konfiskuar, janë konstatuar nga revizorët gjatë kontrollit në këtë Agjenci.
- Post By Fami Bajrami
- 12:18, 3 prill, 2025

Shkup, 3 prill 2025 (MIA) - Deponim joadekuat i objekteve të sekuestruara të cilat janë në dispozicion të Agjencisë për menaxhimin e pronës së sekuestruar dhe mungesës së transparencës në shitjen e pasurisë së patundshme, gjësendeve të sekuestruara dhe pasurisë së konfiskuar, janë konstatuar nga revizorët gjatë kontrollit në këtë Agjenci.
Analizat e revizorëve tregojnë se mbajtja dhe ruajtja e sendeve të sekuestruara dhe mjeteve motorike nuk mundëson mbrojtjen e të njëjtave nga shkatërrimi dhe humbja e vlerës dhe se një pjesë e hapësirave të magazinës dhe parcelave që i shfrytëzon Agjencia tashmë 14 vjet janë shfrytëzuar pa vendim të Qeverisë për transferimin e së drejtës për shfrytëzim.
Për objektet e konfiskuara, për të cilat Agjencia nuk ka kushte për t'i marrë menjëherë në magazinat e saj, nuk është mbajtur asnjë evidencë me të dhëna për llojin e pasurisë së patundshme dhe subjektin ku ata lokacione ndodhen dhe as nuk është bërë regjistrimi i tyre. Deri më 31 dhjetor të vitit 2023, në dogana gjendeshin 46 automjete, ndërsa në MPB 689 automjete motorike pa përcaktim të vlerës.
Janë konstatuar dhe lëshime në zbatimin e inventarit vjetor të mjeteve, kërkesave dhe detyrimeve, si dhe mospërputhje të evidencës kontabël me gjendjen faktike të përcaktuar me regjistrimin.
Analiza e të ardhurave të realizuara nga shitja e pasurisë së konfiskuar dhe mjetet e paguara në Buxhetin e shtetit të realizuara nga Agjencia në periudhën prej vitit 2011 deri më 30 shtator të vitit 2024 tregojnë se nga gjithsej të ardhurat e realizuara në vlerë prej 1,650 miliardë denarë, në Buxhetin e shtetit janë paguar gjithsej 1,205 miliardë denarë, gjegjësisht më pak mjete nga 445 milionë denarë.
Si mjete të pashfrytëzuara në të holla në llogarinë depozituese në Agjenci më 31 dhjetor të vitit 2023 janë gjetur 40.721 mijë denarë, të cilët nuk janë paguar nga Buxheti i shtetit.
Sa i përket llogaritjes dhe pagesës së pagave të punonjësve, Agjencia nuk disponon dosje të plota dhe të kompletuara nga të cilat mund të vërtetohet se paga e përcaktuar është në përputhje me kualifikimet dhe përvojën e tyre të parashikuar me aktin e sistematizimit. Revizorëve nuk iu është ofruar Rregullorja e pagave dhe kompensimeve tjera që prej vitit 2009 si dëshmi për pagesën e pagave për 26 personat ndihmës teknikë dhe dokumentacionit për pagesën e punës jashtë orarit.
Revizorët kanë konstatuar se një pjesë e të ardhurave në vlerë prej 1.168 mijë denarë janë evidentuar pa u vërtetuar se janë në kuadër të përcaktuar në bazë të Udhëzimit për shfrytëzimin e automjeteve zyrtare të Agjencisë dhe vendimeve të Qeverisë lidhur me përcaktimin e përdoruesve të telefonave zyrtarë dhe mënyrën e përdorimit dhe shumën e mjeteve për shërbime ushqimore, pa u siguruar dokumentacion i plotë. Revizorët gjithashtu kanë konstatuar se për shkak të lëshimeve në mënyrën e zbatimit dhe realizimit të procedurave për furnizimin e derivateve, servisimin e automjeteve dhe materialet e zyrave, janë blerë mallra në vlerë prej 695 mijë denarë për të cilat nuk janë zbatuar procedurat përkatëse në përputhje me Ligjin për furnizime publike. rq/
Foto: Enti i Revizionit