• e hënë, 23 dhjetor 2024

Lëndët "Target-Fortesa" dhe " Thesari" do të marrin intensitet, siguron Gjykata Penale

Lëndët

Shkup, 21 shkurt 2023 (MIA) - Lëndëve "Target-Fortesa" dhe "Thesari", do t'u jepet intensitet në periudhën e ardhshme, siguron Gjykata Penale.

Të pyetur për rrezikun e parashkrimit dhe nëse këto lëndë mund të përshpejtohen, nga Gjykata Themelore Penale sot në një konferencë për media thanë se të dy gjyqtarët që trajtojnë lëndët kanë shprehur besimin se do t'u jepet intensitet.

"Gjykimi  për  lëndën “Target-Fortesa” është caktuar për në datën 28 ​​shkurt, pasi gjyqtari po trajton edhe për lëndën “Trajektoria” dhe lëndë të tjera. Por qëndrimi zyrtar i gjyqtarit është se edhe asaj lënde edhe “Thesarit” do t’i jepet intensitet në periudhën e ardhshme. Sepse bëhet fjalë për dy raste me të pandehur të njëjtë dhe duhet të ketë koordinim", theksojnë nga Gjykata Penale.

Nga Gjykata Penale theksojnë gjithashtu se më parë ka pasur probleme me caktimin e gjykimeve ditë pas dite për të njëjtët të pandehur dhe se edhe kjo duhet pasur parasysh.

Në nëntor të vitit të kaluar, Gjykata e Apelit në Shkup e anuloi aktgjykimin e shkallës së parë për lëndën “Thesari”, e më pas në dhjetor për “Target-Fortesa”, dhe lëndët i ktheu në rigjykim.

Gjykata Themelore Penale Shkup më 26 shkurt  të vitit 2021 për rastin “Target-Fortesa”, i cili ka të bëjë me përgjimin masiv dhe shkatërrimin e pajisjeve nga DSK-ja, ka shqiptuar dënim me burg prej 55 vjet dhe 10 vjet me kusht, gjegjësisht gjithsej 65 vjet për 11 persona.

Gjykata e ka dënuar ish-drejtorin e DSK-së, Sasho Mijalkov, me 12 vjet burg për veprën penale “bashkim kriminal”, “keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar” dhe “marrje e shpërblimit për ndikim të kundërligjshëm”.

Procesi gjyqësor  ka nisur më 22 dhjetor  të vitit 2017 ndaj 11 personave. Gjatë procedurës janë mbajtur 53 seanca, në të cilat janë dëgjuar 123 dëshmitarë, janë paraqitur 887 prova materiale dhe pesë ekspertiza. Një pjesë e madhe e mbi 200 personave të dëmtuar u dëgjuan. sa/

QËNDRONI TË LIDHUR