• e premte, 05 dhjetor 2025

Kuvendi miratoi ligjet reformuese për transformim digjital

Kuvendi miratoi ligjet reformuese për transformim digjital

Shkup, 27 qershor 2025 (MIA) - Kuvendi sot në seancën e 58-të ka miratuar katër ligje për transformim digjital nga agjenda reformuese. Janë votuar Ligji për komunikime elektronike, Ligji për sigurinë e rrjetit dhe sistemeve të informacionit, Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për dokumentet elektronike, identifikimin elektronik dhe shërbimet e besueshme dhe Ligji për materialin arkivor dhe veprimtarinë arkivore.

Me miratimin e këtyre ligjeve, konform Instrumentit për reforma dhe rritje në Ballkanin Perëndimor, Maqedonia fiton qasje prej më shumë se 19 milionë euro, prej të cilave 5,7 milionë euro si mbështetje e drejtpërdrejtë buxhetore.

Ministri për transformim digjital, Stefan Andonovski ka falënderuar për mbështetjen e Kuvendit për debatet publike për ligjet, duke theksuar se me ato do të përshpejtohet procesi i transformimit digjital në përputhje me ligjvënësin evropian. "Jemi pionierë në realizimin e agjendës reformuese, po tregojmë rezultate maksimale në atë që i kemi dhënë vetes si detyrë dhe jemi shembull në rajonin më të gjerë se si duhet të zbatohen direktivat evropiane në ligjin tonë. Tash shkojmë në hapin e dytë në realizimin e tyre të plotë", tha Andonovski.

Me Ligjin për sigurinë e sistemeve të rrjetit dhe informacionit për herë të parë në vend përcaktohet një kornizë ligjore për rregullimin e sigurisë kibernetike dhe paraqet një angazhim të rëndësishëm strategjik e cila sipas ministrit përkatës, bart një mesazh të qartë përgjegjësie, pjekurie dhe vizioni në fushën e sigurisë digjitale.

"Formojmë dy ekipe si përgjigje të shpejtë ndaj incidenteve kompjuterike, dy CIRTA, njëri publik, ndërsa tjetri për Qeverinë. Nxisim bashkëpunim, ndërsa jo izolim sepse po demonstrojmë lidhshmërinë e rrjetit përmes koordinatorit kombëtar për sigurinë kibernetike", tha Andonovski në debatin e fundit publik.

Me Ligjin për komunikimet elektronike bëhet një hap i rëndësishëm drejt së ardhmes digjitale, duke përafruar rregulloren vendase me kodin evropian të komunikimeve elektronike dhe Direktivën 2018/1972 dhe rregulloren më të re mbi infrastrukturën gigabajt. Ky ligj, sipas Andonovskit, bart përmirësimin e cilësisë së shërbimeve, mbron konsumatorët, promovon shërbimet universale, racionalizon dhe thjeshtëson ndërtimet infrastrukturore dhe përcakton një rol të qartë rregullator të Agjencisë për komunikime elektronike. rq/

Foto: printskrin

QËNDRONI TË LIDHUR