• e hënë, 23 dhjetor 2024

Kuvendi i miratoi ndryshimet në Ligjin për racionin e subvencionuar të studentëve

Kuvendi i miratoi ndryshimet në Ligjin për racionin e subvencionuar të studentëve

Shkup, 26 prill 2023 (MIA) - Kuvendi i sotëm në seancën e 111-të e miratoi Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për racionin e subvencionuar të studentëve, të cilin e parashtruan deputetët e shumicës qeverisëse Monika Zajkova, Sanela Shkrijel, Bobi Mojsovski, Daniela Nikolovska dhe Zhaklina Lazarevska. Ligji u miratua me 70 vota “pro” dhe asnjë “abstenim” apo “kundër”.

Në debatin para votimit, deputeti nga radhët e VMRO-DPMNE-së, Bojan Stojanoski, i përmendi komentet nga diskutimi i komisionit për këtë ligj, përkatësisht për sistemin e kartelave dhe për rritjen e shumës.

"Dhe gjatë diskutimit të komisionit, ne patëm dy vërejtje thelbësore - njëra ishte për sistemin që është planifikuar të futet, që është sistemi i kartave dhe i cili tashmë ishte propozuar të futej një herë, por dështoi, sepse herën e mëparshme asnjë bankë nuk u paraqit në thirrjen e MASH-it, dhe vërejtja e dytë, rritja e shumës në 160 denarë në vend të 120 denarëve të mëparshme", tha Stojanoski.

Deputetja nga radhët e koalicionit qeverisës, Sanela Shkrijel, në përgjigje ka thënë se nuk është e vërtetë që dikur ka pasur thirrje për një sistem të tillë kartash.

"Nuk ka pasur asnjëherë thirrje publike për një sistem të tillë kartash. Arsyeja pse pagesa ka shkuar kështu deri më tani është sepse në kohën kur duhej të fillonte ky ligj, ne ishim në mes të një pandemie, restorantet dhe vendet e tjera nuk funksiononin dhe ishte thjesht e pamundur të zbatohej, ashtu siç ishte menduar, ndërsa e di që edhe ju mbështesni atë që studentët të marrin një subvencion për një racion të shëndetshëm, theksoi Shkrijel.

Gjithashtu, ajo konfirmoi se shuma ditore rritet nga 120 në 160 denarë dhe se do të përshtatet me normën e inflacionit pas çdo viti fiskal. Sipas saj, kjo është një mënyrë që të mos diskutohet aq shpesh për shumën, por të përcaktohet sipas normës së inflacionit.

Ajo shtoi se studentët do të mund ta shfrytëzojnë subvencionin nga e hëna në të shtunë dhe se me këtë ndryshim do të mund ta shfrytëzojnë subvencionin edhe gjatë festave fetare.

Më parë në Kuvend u miratua edhe plani afatgjatë për zhvillimin e aftësive mbrojtëse 2023-2032. ls/

Foto: MIA arkiv

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR