"Kush e ka radhën": Autoritetet ta hapin dokumentacionin për diskotekën "Puls" nga viti 2012 e deri më tani
- Në mënyrë transarente dhe të plotë të publikohet dokumentacioni lidhur me punën e diskotekës "Puls" në Koçan nga viti 2012 deri më sot, kërkon nisma "Kush e ka radhën", e cila sot organizon tubim para Kuvendit. Kërkesa i është dërguar Ministrisë së Punëve të Brendshme, Inspektoratit Shtetëror të Tregut, Ministrisë së Ekonomisë, Inspektoratit Ndërtimor Shtetëror, Inspektoratit Shtetëror për Urbanizëm, Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Drejtorisë për të Ardhura Publike, Vetëqeverisjes Lokale në Koçan, Inspektoratit Ndërtimor Lokal dhe Organit Konsultativ për Siguri dhe Parandalim të formuar në Komunën e Koçanit.
- Post By Sara Ademi
- 13:44, 29 mars, 2025

Shkup, 29 mars 2025 (MIA) - Në mënyrë transarente dhe të plotë të publikohet dokumentacioni lidhur me punën e diskotekës "Puls" në Koçan nga viti 2012 deri më sot, kërkon nisma "Kush e ka radhën", e cila sot organizon tubim para Kuvendit. Kërkesa i është dërguar Ministrisë së Punëve të Brendshme, Inspektoratit Shtetëror të Tregut, Ministrisë së Ekonomisë, Inspektoratit Ndërtimor Shtetëror, Inspektoratit Shtetëror për Urbanizëm, Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Drejtorisë për të Ardhura Publike, Vetëqeverisjes Lokale në Koçan, Inspektoratit Ndërtimor Lokal dhe Organit Konsultativ për Siguri dhe Parandalim të formuar në Komunën e Koçanit.
Siç u tha para tubimit, "Kush e ka radhën" kërkon edhe përgjegjësi morale nga sektori privat, si dhe nga odat e hotelierëve dhe shoqatat e tyre që të marrin masa aktive për të edukuar anëtarët e tyre për t'u përballur me problemet dhe për të mbrojtur mysafirët dhe të mos jenë aktivë vetëm kur nevojitet ndihmë financiare nga shteti ose ndonjë rregullore për të zgjeruar tarracat e tyre ose për të ulur kostot në kurriz të sigurisë dhe komunitetit lokal.
Nisma kërkon gjithashtu ngritjen e një servisi qytetar "E-Inspektorati" që do të mundësojë funksionimin transparent të të gjitha inspektorateve në vend në mënyrë që çdo qytetar të ketë njohuri se cilat objekte i janë nënshtruar mbikëqyrjes dhe cilat jo. Është e nevojshme, theksojnë nga "Kush e ka radhën", të vendoset një numër qendror për kontrollin e parregullsive në punën e inspektorateve, në mënyrë që çdo qytetar të mund të raportojë një parregullsi dhe më pas t'i shpërndahet institucioneve përkatëse kompetente.
Nisma hodhi poshtë edhe një herë çdo lidhje me ndonjë parti politike në vend, ndërsa për statusin e publikuar publikisht në Fejsbuk të motrës së Frosina Kulakovës, e cila vdiq në bulevardin "Arradhat Partizane", mendon se është e drejtë e çdo qytetari. Lidhur me akuzat e familjes Kulakov se "Kush e ka radhën" kërkon të shfrytëzojë vdekjen e dikujt, nisma konfirmon se ajo u krijua pas aksidentit kur vdiq Frosina dhe se ishte rasti, por arsyeja është mosfunksionimi i sistemit shtetëror në 35 vitet e fundit.
"Demokracia nuk ndalon", "Kur shkojnë me pushime të paguara me paratë tona, ne jemi të detyruar të flasim", "Sot jemi këtu pa shpenzime udhëtimi dhe mëditje", ishin vetëm disa nga mesazhet e dërguara nga pjesëmarrësit në tubim.
"Kërkojmë që dokumentacioni të publikohet i plotë për të parë nëse ekziston, pra nëse është bërë mbikëqyrje edhe në diskotekën "Puls". Por ne nuk ndalemi vetëm në këtë rast. Ne besojmë se sistemi në Maqedoni nuk ka funksionuar që nga themelimi i tij, andaj kërkojmë që dokumentacioni për të gjitha tragjeditë tjera që kanë ndodhur në periudhën e kaluar, si "Besa Trans", "Durmo Turs", "Onkologjia" dhe Spitali Modular i Tetovës, të publikohet në mënyrë transparente. Dhe për këto ngjarje tragjike ku sistemi ka dështuar, opinioni nuk është plotësisht i informuar për të mbrojtur individë apo grupe të caktuara që kanë udhëhequr vendin në 35 vitet e fundit", theksoi Borjan Eftimov nga "Kush e ka radhën".
Lidhur me mosfunksionimin e deritanishëm të Kuvendit, Eftimov theksoi se për këtë janë mbledhur në mënyrë simbolike qytetarët këtu, kanë vendosur karrige dhe do të diskutojnë për problemet, do të ballafaqohen me mendime dhe argumente të ndryshme.
"Si qytetarë jemi të frustruar nga mosveprimi i Kuvendit jo vetëm në këto dy javë, por në të gjithë jetën tonë. Kuvendi është jashtëzakonisht pasiv edhe pse ka detyrimin më të madh të përfaqësojë qytetarët. Prandaj vendosëm që kur deputetët të cilët paguhen nga taksat tona tashmë shkojnë me pushime, ne si qytetarë të bashkohemi dhe të diskutojmë problemet tona, të ballafaqohemi me mendime dhe argumente të ndryshme sepse besojmë se vetëm në këtë mënyrë mund të ndryshojmë realisht sistemin dhe të luftojmë për përparimin e vendit", theksoi Eftimov.
Sipas tij, partitë politike kanë mekanizma partiak dhe institucional përmes të cilave mund të luftojnë nëse vërtetë duan ta ndryshojnë sistemin.
Duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari për reagimet e familjes së Frosina Kulakovës, ai edhe një herë tha se çdo qytetar ka të drejtë të shprehë mendimin e tij, por "Kush e ka radhën", theksoi ai, do të vazhdojë të luftojë për çdo qytetar, për brezat e tanishëm dhe të ardhshëm.
"Kush e ka radhën" ka edhe kërkesa për problemet urbane në qytete.
Aktivitetet e ardhshme të "Kush e ka radhën" do të dakordohen pas tubimit të sotëm. sa/
foto: MIA