• e diel, 22 dhjetor 2024

Kurti: Vuçiqi në koordinim me Rusinë po përgatit kërcënime të reja ndaj Kosovës, por nuk na frikëson

Kurti: Vuçiqi në koordinim me Rusinë po përgatit kërcënime të reja ndaj Kosovës, por nuk na frikëson

Prishtinë, 13 shtator 2024 (MIA) – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq në koordinim me Rusinë, po përgatit kërcënime të reja dhe ultimatume për Kosovën, por se ato nuk e frikësojnë, informon korrespondenti i MIA-s nga Prishtina. 

Në një shkrim në faqen e tij në Fejsbuk, pak para paraqitjes së paralajmëruar të Vuçiqit për publikun serb lidhur me situatën e serbëve në Kosovë, Kurti tha se “krimet makabre që Serbia para 25 vjetëve i kreu në Kosovë, sot po përsëriten nga Rusia në Ukrainë dhe po synohen që të kthehen prapë në rajonin e Ballkanit”. 

"Qasja e pushtetit në Serbi ndaj Kosovës është tejet dëshpëruese. Fillimisht u normalizua pandëshkueshmëria dhe fushatat propaganduese. E tash po synohen të normalizohen sulmet paramilitare dhe terroriste (Banjska, 24 shtator 2023), kërcënimet dhe ultimatumet, të cilat arsyetohen me lajme të rrejshme dhe fushata dezinformuese, para syve të botës demokratike", ka shkruar Kurti.

Kryeministri i Kosovës tha se "Kosova është më e fortë se kurrë më parë" dhe se nuk trembet nga kërcënimet. 

"Ne mbrojmë të gjithë qytetarët tanë dhe liritë e të drejtat e tyre, integritetin territorial dhe sovranitetin shtetëror të vendit tonë, progresin demokratik e socio-ekonomik të popullit dhe institucioneve tona", shkroi Kurti.

Ai i përmendi edhe krimet të cilat, siç tha, Serbia i kreu në Kosovë, duke thënë se Beogradi po koordinohet me Moskën "për varreza masive të mijëra njerëzve".

"Serbia flenë mbi varreza masive nga gjenocidi i kryer në Kosovë. 950 civilë të paarmatosur u masakruan, ua rrëmbyen kufomat dhe i futën në varreza masive në Serbi, përfshirë këtu kamionë frigoriferë që dolën nga fundi i liqeneve atje. Dëshmitë e gjenocidit janë të freskëta gjithandej në Kosovë e Serbi, por kjo nuk po e pengon Presidentin e Serbisë për të kërcënuar sërish", shkroi Kurti.

Sipas kryeministrit të Kosovës, "në vend që Serbia të pendohet për krimet, të kërkojë falje për to dhe të mos i mohojë ato; t’i hapë arkivat e luftës të policisë dhe ushtrisë jugosllave, sidomos të brigadës së motorizuar 37; të paguajë dëmshpërblimet;  të bashkëpunojë për të vendosur drejtësi për viktimat e gjenocidit; të angazhohet për pajtim e paqe duke reflektuar mbi përgjegjësinë që ka;  ajo ka zgjedhur anën e kundërt, duke përsëritur kërcënimet dhe ultimatumet, ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj, në bashkëpunim dhe koordinim të afërt me Rusinë".

"Sot, Kosova është më e fortë se kurrë më parë, nuk trembet nga kërcënimet. Ne mbrojmë të gjithë qytetarët tanë dhe liritë e të drejtat e tyre, integritetin territorial dhe sovranitetin shtetëror të vendit tonë, progresin demokratik e socio-ekonomik të popullit dhe institucioneve tona. Mirëpo, kjo që po ndodhë aktualisht, tregon se sa larg është Serbia nga vlerat demokratike dhe njerëzore dhe sa e mishëruar mbetet me gjenocidin e kryer në vitet e ‘90-ta", shkroi Kurti. fc/

QËNDRONI TË LIDHUR