Kurti: Vendimi për ndalimin e dinarit në Kosovë nuk është për të ndëshkuar, por për të vendosur rend në financa
- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se hyrja në fuqi e rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për euron si valutë e vetme për pagesat me para të gatshme në Kosovë, gjegjësisht ndalimin e përdorimit të dinarit serb, ka për qëllim vendosjen e transparencës fiskale e jo “sanksionimin apo ndëshkimin” e dikujt, njofton korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.
- Post By Fami Bajrami
- 19:02, 13 maj, 2024
Prishtinë, 13 maj 2024 (MIA) - Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se hyrja në fuqi e rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për euron si valutë e vetme për pagesat me para të gatshme në Kosovë, gjegjësisht ndalimin e përdorimit të dinarit serb, ka për qëllim vendosjen e transparencës fiskale e jo “sanksionimin apo ndëshkimin” e dikujt, njofton korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.
Që nga dita e djeshme, më 12 maj, euro është valuta e vetme për transaksionet në Kosovë, gjë e cila është kundërshtuar nga Beogradi zyrtar dhe përfaqësues politikë të serbëve në Kosovë, duke thënë se shkon në dëm të komunitetin serb të vendit, një pjesë e madhe e të cilit pagat i marrin në dinarë, pensionet dhe kontributet sociale nga shteti i Serbisë.
Duke iu drejtuar gazetarëve gjatë vizitës së sotme në komunën e Kamenicës, Kurti deklaroi se Banka Qendrore e Kosovës si institucion i pavarur dhe jo Qeveria e Kosovës është ajo që vendos rregullat për punët bankare.
“BQK sqaron se qëllimi është ligjshmëria, transparenca, jo sanksionimi dhe ndëshkimi. Ata (BQK) janë ata që janë më lartë se ne dhe janë prijës në këtë proces të tranzicionit sa më të qetë në vendosjen e një mjeti të vetëm të pagesës”, tha Kurti.
Ai shtoi se rregullorja e BQK-së nuk ka për qëllim të kundërshtojë dinarin, por ta bëjë euron opsionin e vetëm të pagesës me para të gatshme në Kosovë, siç parasheh Kushtetuta e vendit.
Bashkimi Evropian i cili ndërmjetëson në negociatat midis Prishtinës dhe Beogradit, ka njoftuar se pasnesër, e mërkurë, më 15 maj do të mbahet raund i ri negociatash në lidhje me vendimin e Kosovës për ndalimin e përdorimit të dinarit si mjet të pagesës në vend.