Kurti thotë se nën qeverisjen e tij Kosova është bërë "shembull i shquar në botë"
- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se është krenar për katër vitet e qeverisjes së tij për të cilat thotë se janë plot me arritje, njofton korrespodenti i MIA-s nga Prishtina.
- Post By Fami Bajrami
- 15:10, 2 dhjetor, 2024
Prishtinë, 2 dhjetor 2024 (MIA) - Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se është krenar për katër vitet e qeverisjes së tij për të cilat thotë se janë plot me arritje, njofton korrespodenti i MIA-s nga Prishtina.
Në seancën e sotme të Kuvendit, në të cilën me kërkesë të opozitës diskutohen katër vitet e fundit të mandatit të tij në krye të Qeverisë, Kurti tha se Kosova gjatë kësaj periudhe është bërë "shembull i shquar në botë".
"Sot qëndroj para jush me krenari dhe besim për këtë periudhë katërvjeçare të qeverisjes sonë e cila ka qenë e mbushur me arritje dhe më shumë sfida sesa jemi mësuar zakonisht....Ne jemi një shembull i shquar në botë, ku ekziston një narrativë e madhe se si zhvillimi ekonomik dhe progresi demokratik shkojnë së bashku", deklaroi Kurti.
Ai tha se ekonomia e Kosovës po shënon rritjen më të madhe por edhe më solide.
"Në këto katër vite kemi një rritje mesatare prej 6.36 për qind të bruto prodhimit të brendshëm", tha Kurti, duke shtuar se në asnjë prej këtyre katër viteve nuk ka pasur rritje reale nën katër për qind, pas zbritjes së inflacionit nga rritja.
Ai tha se në këtë katër vite borxhi publik është ulur për 17 për qind, ndërsa papunësia është ulur nga 25.8 për qind në 10 për qind. Sfidë në këtë plan, sipas tij, mbetet aktivizimi i grave në tregun e punës.
Ai ka përmendur dhe mbylljen e strukturave paralele në veri, duke theksuar se "ndikimi i organizatave terroriste është eliminuar".
"Janë mbyllur shërbimet ilegale në komunat veriore, kemi eliminuar ndikimin e organizatave terroriste, por kjo nuk do të thotë që nuk ka elemente kriminale atje … kemi shtruar rrugë edhe në komunat në veri, gjithnjë ma shume qytetarë serbë po bashkëpunojmë në institucionet e Kosovës", tha Kurti.
Në Politikën e jashtme, sipas Kurtit, Qeveria e tij ka bërë më shumë se sa pritej, ndërsa siç tha ai, partia e tij nuk i ka premtuar shtetit njohje të reja.
"Kemi aplikuar me sukses dhe kemi kaluar Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës... Më pas kemi avancuar statusin e Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, kemi aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe jemi anëtarësuar në dhjetë organizata ndërkombëtare. Bashkimi Evropian dhe ne iu bashkuam dhjetë organizatave ndërkombëtare. E di që jemi kritikuar sepse nuk ka njohje të reja, por duhet të kuptoni edhe një gjë: as liberalizimi i vizave dhe as njohjet e reja nuk u premtuan në fushatë. Në fushatë kemi thënë punësim dhe drejtësi. Kështu që ju duhet të na matni me premtimet tona që kemi bërë në fushatën e 2021 dhe në programin e qeverisë pas kësaj", tha Kurti. rq/
Foto: arkivi i MIA-s