• e diel, 22 dhjetor 2024

Kurti për kritikat nga O'Brajan: Kosova nuk ka aleat dhe mik tjetër si SHBA-ja

Kurti për kritikat nga O'Brajan: Kosova nuk ka aleat dhe mik tjetër si SHBA-ja

Prishtinë, 14 shkurt 2024 (MIA) - Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se marrëdhëniet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë të kërcënuara, pavarësisht deklaratës së ndihmës sekretarit shtetëror amerikan, Xhejms O'Brajan, i cili e kritikoi ashpër qeverinë e tij për vendimin për ndalimin e dinarit serb në vend, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Në fjalimin e tij para gazetarëve sot në Prizren, Kurti theksoi se Kosova është mirënjohëse ndaj SHBA-së për të gjithë kontributin që kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin në këto 25 vjet që, siç tha, nga çlirimi i vendit.

Deklarata e sotme e Kurtit ishte në përgjigje të pyetjes së një gazetari për deklaratën e ndihmës sekretarit shtetëror amerikan, O'Brajan, i cili lidhur me Rregulloren e Bankës qendrore të Kosovës (BQK) për ndalimin e dinarit tha se me këtë sjellje, qeveria e Kosovës e ka vënë në pikëpyetje partneritetin me SHBA-në.

“Republika e Kosovës nuk ka partner, aleat edhe mik të rëndësishëm se SHBA-në. Kështu e konsideroj dhe bashkëpunoj si kryeministër i Kosovës. Banka Qendrore e Kosovës ka prezantuar një plan 10-pikësh për zbatimin e Rregullores së saj. Ne jemi një Republikë demokratike. Qeveria nuk u mbivendoset institucioneve të pavarura siç është BQK-ja”, tha kryeministri i Kosovës.

Ai thekson se në mesin e këtyre 10 pikave si plan pune për zbatimin e Rregullores, BQK-ja nuk ka paraparë asnjë masë ndëshkuese,

"Pra pa ndëshkim dhe pa incidente duam të ecim përpara. Kushtetutshmëria dhe ligjshmëria janë prioritet i yni, por njëkohësisht ne kujdesemi edhe për paqe e siguri, kujdesemi edhe për mirëqenien e qytetarëve serbë. Unë jam një kryeministër që nuk dua që qytetarët të kenë më pak, por të kenë më shumë para", tha Kurti.

Ai theksoi se dinari nuk është ndaluar në Kosovë dhe se bëhet fjalë vetëm për dinarin si mjet pagese, jo për dinarin që mund ta kenë qytetarët.

 "Nuk dëshirojmë që të ndëshkojmë askënd, me kurrfarë masash mirëpo ta bëjmë këtë tranzicion ashtu që të legalizohet e formalizohet çdo transaksion financiar", tha Kurti.

Ai ka shprehur bindjen se qytetarët serbë në Kosovë nuk e shohin vendimin e BQK-së si problem, por Beogradi zyrtar është ai që vazhdimisht shkakton probleme.

“Nuk besoj që qytetarët serbë këtë e shohin si problem, por natyrisht Beogradi zyrtar që nuk na e pranon as pavarësinë e as krimet e kryera para 25 vjetëve në Kosovë, është ai që sjellë këso alarmimesh para-apokaliptike. Si i përket BQK-së, si për shtetndërtimin tonë demokratik, si për sistemin tonë financiar ne i jemi falënderues SHBA-së që kanë kontribuar përgjatë këtyre 25 vjetëve të Kosovës së çliruar”, përfundoi Kurti.

Ndihmës sekretari shtetëror amerikan, O'Brajan dje në intervistë për Zërin e Amerikës tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shumë të shqetësuara me vendimin e Bankës qëndrore të Kosovës për të mos lejuar përdorimin e dinarit, duke i bërë thirrje Qeverisë së Albin Kurtit ta tërheqë atë.

Ai tha se me këtë vendim Qeveria e Kosovës ka vënë në pikëpyetje partneritetin me SHBA-në.

"Unë nuk bëj kërcënime të vagëta publikisht. Unë do të thoja, që nëse ne nuk trajtohemi si partner, edhe ne nuk do ta trajtojmë qeverinë e Kosovës si partnere", deklaroi dje O'Brajan në një intervistë për Zërin e Amerikës. ls/
 
 

QËNDRONI TË LIDHUR